Ish kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës,Safet Gerxhaliu, tha se Projektligji për Rimëkëmbje Ekonomike, përveç mundësisë së tërheqjes të 10 % nga Trusti i Kursimeve Pensionale, nuk duket se do të ketë diçka konkrete që do të ndikojë në afat të shkurtër dhe do t’i ndihmojë bizneset dhe ekonominë.
“Kam qenë kundërshtar i prekjes së trustit pasi që kam drojë që në aspektin politik po krijohet një precedent dhe kam frikë që qeveritë në të ardhmen do ta përdorin këtë si justifikim për implementim të projekteve gjatë kampanjave zgjedhore, por dua të besoj se është koha që dora e shtetit duhet të jetë në funksion të ndihmës së qytetarëve dhe bizneseve:”, ka thënë Gerxhaliu.
“Prandaj, në qoftë se dëshirohet ta kemi një tërheqje të tillë, atëherë të gjendet modalitet më i përshtatshëm. Dhe kjo do të kishte kuptim nëse ajo tërheqje do të rimburësohet nga qeveria për pesë vjetët e ardhshëm, për kategoritë e caktuara, p. sh., ata që kanë kursime të ulëta deri në 10 mijë euro e që u bie të tërheqin maksimalisht deri në 1000.00 euro. Kjo do të fitonte kuptim që të ruhet kursimi, por që edhe qeveria në të ardhmen do t’i dekurajonte të tjerët të marrin kësi veprime në këtë drejtim për kategoritë sociale”, shtoi ai.
Pra, duhet një mbështetje nga institucionet, të paktën për këtë kategori që ka deri në 10 mijë euro kursime, të gjendet mundësia që tërheqja të mbulohet në mënyrë institucionale dhe qytetarët e varfër ta shijojnë dorën e gjatë të shtetit që është në ndihmë të tyre.