Pas lirimit të masave nuk pati inspektim nga institucionet përgjegjëse

Infektologu Lul Raka ka thënë se numri i madh i rasteve me COVID-19 erdhi pasi masat u liruan menjëherë.

Ai në Interaktiv të KTV-së ka thënë se numri i madh i rasteve të infektimit erdhi pasi lirimi i masave nuk u përcjellë me inspektim strikt.

“Një pjesë e konsiderueshme e popullit mendoi që me lirimin e masave shkoi virusi dhe do t’i kthehemi jetës normale. Njëkohësisht lirimi i masave nuk u përcjell me inspektim strikt nga autoritetet, dhe në momentin kur patëm sfidë në korrik e gusht, dhe kur pati sinkron kur njerëzit filluan t’i respektonin masat, në anën tjetër pat inspektim nga autoritet, i pamë rezultatet”, ka thënë ai.

Raka ka thënë se është kundër mbylljes së serishme, duke shtuar se nëse secili segment e kryen pjesën e vet, virusi do të menaxhohet.

“Ky është një reflektim i asaj që nëse secili segment e kryen pjesën e vet pandemia bëhet e menaxhueshme. Ne kemi qenë kundër mbylljes së serishme sepse virusin e kemi pasur në komunitet dhe do ta kemi. Ne e kemi kryer gjysmën e maratonës dhe edhe në këtë sfidë nëse secili i kryen pjesën e vet, menaxhimi do të jetë më i lehtë. Ne do të bashkëjetojmë me virusin por duhet të mësohemi me realitetin e ri”, ka thënë ai.