Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Besian Mustafa zhvilloi takimin e rregullt njoftues dhe koordinues me përfaqësuesit e shoqatave bujqësore të Republikës së Kosovës.
Në takim morën pjesë disa dhjetëra përfaqësues të shoqatave bujqësore, të cilët diskutuan tema nga më të ndryshmet me ministrin Mustafa.
Me këtë rast, ministri Mustafa dëgjoi me vëmendje temat e shtruara nga shoqatat bujqësore, duke u zotuar se ministria do ta mbajë derën hapur për secilën kërkesë që adresohet nga sektori bujqësor.
Ministri Mustafa u shpreh se MBPZhR-ja është zotuar t’i zgjidhë të gjitha sfidat me të cilat bashkërisht po ballafaqohen, si ministria ashtu edhe shoqatat bujqësore të Kosovës.
Më tej, ministri Mustafa shprehu përkushtimin e MBPZhR-së, por dhe të qeverisë për të qëndruar afër shoqatave, për të përmirësuar situatat me të cilat po përballet sektori i bujqësisë.
Shoqatat bujqësore nga ana tjetër, kërkuan të dinë se kur do të fillojë pagesa e subvencioneve, dyfishimin e të cilëve e kumtoi ditë më parë ministri Mustafa, i cili në këtë temë tha se, filluar nga zbatimi i Pakos për rimëkëmbje ekonomike së shpejti do të ndjehet impakti pozitiv në bujqësi, i kësaj pakoje të qeverisë Hoti.
Nga shoqatat e bujqve po ashtu kërkuan nga ministri Mustafa që vazhdimisht t’i vizitojë në terren që së afërmi të njihet me sfidat, kërkesë të cilës ministri Mustafa i’u përgjigj duke thënë se, terreni është ai përmes të cilit MBPZHR ka identifikuar sfidat e bujqve, të cilat vazhdimisht po i zgjidh.
Takimi me shoqatat e bujqve është takim i rregullt koordinues dhe informues të cilin e organizon MBPZHR dhe ministri Mustafa me qëllim të identifikimit të sfidave të bujkut kosovar.–