KQZ-ja i përshtat rregullat gjatë procesit të zgjedhjes së kryeshefit të Sekretariatit

Shkelje të shumta procedurale dhe ligjore e kanë shoqëruar përzgjedhjen e kryeshefit ekzekutiv të Sekretarit të Komisionit Qendror Zgjedhor (SKQZ), i cili është finalizuar tek javën e kaluar. Pas përfundimit të intervistimit, në krye të ekzekutivit të KQZ-së është emëruar Burim Ahmetaj, i cili deri më tani ka qenë shef i Qendrës për Numërimin e Votave dhe Rezultateve.

Procesi i nisur më 16 qershor ka përfunduar më 24 shtator, periudhë brenda së cilës ka pretendime për një sërë shkeljesh. Në mes të procesit, anëtarët e KQZ-së i kanë ndryshuar rregullat e “lojës”, duke e rritur përbërjen e panelit intervistues. Po ashtu, e kanë bërë menjëherë të ekzekutueshëm njoftimin për kandidatin e suksesshëm, duke nxjerrë “vendim për zbatimin e vendimit” pa respektuar afatin e ankesave, ani pse kandidati i listës së ngushtë kishte paralajmëruar ta ushtrojë këtë të drejtë.

“Koha” ka siguruar dokumentet që dëshmojnë prapaskenat dhe kronologjinë e këtij emërimi.

Problemet kishin nisur të shfaqeshin më 4 gusht, kur në rend dite ka qenë “Caktimi i Komisionit përzgjedhës për pozitën e kryeshefit ekzekutiv të SKQZ-së”.

Për shkak të mosmarrëveshjeve për themelimin e Komisionit, në mbledhjen e 12 gushtit KQZ-ja ka caktuar mbledhje mes anëtarëve me qëllimin që ta ndryshojë paragrafin “problematik” i cili flet për përbërjen e komisionit.

“Paneli Intervistues përbëhet nga pesë (5) anëtarë të zgjedhur me vendim të KQZ-së, duke e respektuar përfaqësimin e komuniteteve, i cili ndërmerr të gjitha veprimet lidhur me hartimin e listës së shkurtër të kandidatëve për pozitën e KE-së. Kryesuesi i Panelit Intervistues zgjidhet nga ana e panelistëve”, thotë paragrafi 3.2 i Udhëzimit për Ndryshimin dhe Plotësimin Administrativ nr. 01/2012 i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për Emërimin dhe Shkarkimin e KE-së/Zv-KE-së/SKQZ-së, Drejtorit Ekzekutiv të ZRPPC-së dhe Zëdhënësit për Informim.