Në cep të zgjedhjeve të reja dhe përgjatë fushatës zgjedhore në Kosovë është dëshmuar se ka parti që përjashtojnë bashkëpunimin me ndonjë parti tjetër.
Termi “Vija të kuqe” është përdorur ndër vite, por edhe është vënë në praktikë.
Ka qenë LDK që me kryetar Isa Mustafën i kishte rënë vijë të kuqe një bashkëpunimi me PDK-në në zgjedhjet e përgjithshme të 2014-ës.
Një standard i tillë nga LDK ka vlejtur edhe në zgjedhjet e 6 tetorit të 2019-ës pikërisht për partinë që e drejton Kadri Veseli.
Një vjet më parë në këtë karvan ka qenë edhe Lëvizja Vetëvendosje, që i kishte bërë “bllok” PDK-së.
Ashtu siç i ka vënë, LDK edhe ka ditur t’i heqë vijat e kuqe; më 2014 iu kishte bashkuar PDK-së në Qeveri. Ndërsa së fundmi Isa Mustafa ka deklaruar se është pro që një praktikë e tillë të zhbëhet.
(2014; Hashim Thaçi, Kryetar i PDK-së dhe Isa Mustafa, Kryetar i LDK-së duke nënshkruar marrëveshjen për koalicion)
Mustafa për klankosova.tv ka thënë se pavarësisht atyre që ka thënë ditë më parë nuk i ka harruar veprimet e së kaluarës që janë bërë kundër LDK-së – qoftë nga PDK-së, qoftë nga Lëvizja Vetëvendosje.
“Kam vlerësuar se tani jemi në rrethana specifike, të ballafaquar me Pandeminë, me dialogun me Serbinë për njohje reciproke dhe me aktivizimin e aktakuzave të Gjykatës Speciale”.
“Ky orientim i imi nuk derivon nga fakti se kam harruar sesi na ka rrëzuar PDK nga qeveria kur bashkëqeverisnim ose sesi më ka sulmuar Vetëvendosje dhe si ka shkaktuar prishjen e koalicionit”.
“Të gjitha i di dhe nuk jam fare keq me mendjembajtjen/memorien politike. Por, poashtu e di që ndoshta jemi në situatën më të rëndë me sfidat me të cilat po ballafaqohet Kosova prej pasluftës. Në këtë situatë duhet t’i sigurojmë stabilitet vendit tonë”, ka theksuar ai.
Mustafa është shprehur se qëndrimi i tij i fundit nuk ka të bëjë vetëm më PDK-në.
“Jam shprehur se do të duhej të hiqen vijat e kuqe të bashkëpunimit për çdo subjekt, jo vetëm për PDK-në që po apostrofohet, dhe se vija të kuqe duhet të zbatohen ndaj individëve që kanë probleme me ligjin”.
Megjithatë ai ka potencuar se vendimi iu përket organeve të partisë.
Duke qenë cak shpesh i bllokadave, një praktikë të tillë vet PDK nuk e ka zbatuar asnjëherë.
Kjo nuk vlen as tash e tutje.
“Kadri Veseli e ka bërë të qartë se Partia Demokratike e Kosovës nuk ka vija të kuqe ndaj partive shqiptare. Por, sa i përket bashkëpunimit për bashkëqeverisje me PDK-në, aty ne ndjekim një diskurs i cili bazohet në pikëpamjet tona ideologjike edhe politike”, ka thënë në përgjigje për klankosova.tv, zëdhënësi i PDK-së, Avni Bytyqi.
“PDK nuk ka vija të kuqe dhe asnjëherë nuk do të ketë ndaj partive shqiptare, por, ne kemi parime. Nëse këto parime përputhen ose kanë një afërsi më ndonjë subjekt politik, atëherë ne mund të bashkëpunojmë”.
(2017; Kadri Veseli – PDK, Ramush Haradinaj i nominuar për kryeministër (AAK) dhe Fatmir Limaj – Nisma – (Koalicioni PAN)
Për Bytyqin heqja e vijave të kuqe për bashkëpunim është kthim në një gjendje normale dhe thekson se nuk e shohin si ftesë për të hyrë në Qeverinë e drejtuar nga Avdullah Hoti.
“Largimi i vijave të kuqe nga partitë politike LDK, AAK, Nisma dhe së fundmi, edhe Lëvizjes Vetëvendosje, ne e vlerësojmë si kthim në normalitet dhe jo si ftesë për bashkëqeverisje. Për një kohë të gjatë partitë e lartë përmendura i kanë përdorur vijat e kuqe për efekt elektoral, dhe, tani me PDK-në opozitë, po shprehin vullnetin për bashkëpunim në forma të ndryshme. Përderisa, për Partinë Demokratike të Kosovës, parimi i vetëm për bashkëpunim mbetet interesi i përgjithshëm i qytetarëve”.
Për Albulena Haxhiun nga Lëvizja Vetëvendosje, LDK për PDK-në vijat e kuqe i ka hequr me rrëzimin e Qeverisë së drejtonte Albin Kurti.
(2019; Albin Kurti – Lëvizja Vetëvendosje dhe Isa Mustafa – LDK, pas nënshkrimit të marrëveshjes për bashkëqeverisje)
“Ajo që tha sot Isa Mustafa është vetëm titulli i një vepre që kishte nisur më herët. Nëse qytetarët kanë vendosur saktësisht ndryshe nga ajo çka paska vendosur LDK, atëherë kjo e fundit përfundimisht i ka vënë vijë të kuqe vullnetit qytetarë. Sigurisht, vijat e kuqe gjithnjë janë hequr në emër të “interesave madhore””, është shprehur Haxhiu.
“Këto janë orvatjet për t’i ikur zgjedhjeve në mënyrë që kjo nomenklaturë të mbijetojë edhe ndonjë ditë”.
Vija të kuqe për partitë tjera politike në një formë nuk ka as Lëvizja Vetëvendosje.
Muaj më parë ka qenë nënkryetari i kësaj partie, Glauk Konjufca, që ka thënë se “Mendoj që Vetëvendosje duhet ta marrë atë subjekt politik në qeverisje e cila i dërgon ministrat më të pa korruptuar në Qeveri, për shembull i ke tre ministra i dërgon emrat, i shikon VV nëse kanë afera nuk pranohen”.
Në periudhën pas pavarësisë, të gjitha partitë kanë bashkëpunuar me njëra-tjetrën, qoftë duke qeverisur, apo duke krijuar blloqe opozitare.
Deri më sot vetëm Lëvizja Vetëvendosje dhe PDK nuk janë parë të kenë pasur marrëveshje për bashkëpunim. /Klan Kosova.tv/