Kryeministri Avdullah Hoti ka dalë në konferencë për media për të siguruar prodhuesit dhe përpunuesit e qumështit se qeveria do t’i mbështesë në zgjidhjen e telasheve që ka ky sektor.
“Ka dy javë që prodhuesit e qumështit dhe fermerët kanë vështirësi në plasimin e qumështit të tyre. Gjatë këtyre ditëve kemi punuar shumë me Ministrinë e Tregtisë dhe AUVK për të ndërmarrë veprimet e nevojshme ligjore që i kemi në kompetencë si qeveri për të përmirësuar situatën sa i përket sektorit të qumështit”.
“Ne e mbështesim bukur shumë këtë sektor. E subvenciojmë bukur shumë për litër të qumështit dhe në kategori të ndryshme për cilësi të qumështit, por duket se për shkak të situatës që është krijuar në treg nga pandemia ka ngopje të tregut me qumësht dhe si rezultat përpunuesit e qumështit e kanë të pamundur që ta shesin qumështin në treg dhe rrjedhimisht kanë vështirësi që të pranojnë qumësht nga fermerët”.
Shefi i qeverisë ka thënë se konsumatorët kanë telashe të dinë nëse po blejnë produkte me bazë vaj palme apo produkte me bazë qumështi natyral, prandaj këto produkte do të shiten ndaras në markete, njofton Klan Kosova.
“Kemi bërë analizat e nevojshme në dy fronte. Ministria e Tregtisë dhe Inspektorati i Tregut kanë punuar për t’u siguruar që konsumatorët e dinë çfarë blejnë, sepse ka mjaft vërejtje që konsumatorët nuk janë mjaft të qartë nëse produktin që e blejnë është me vaj palme apo produkt me bazë qumështi. Inspektorati i Tregut dhe Ministri i Tregtisë me bashkëpunëtorë sot janë në terren për t’u siguruar që në markete, kudo që shitet qumësht dhe produkte të tjera, bëhet e qartë që shiten në lokacione të ndryshme brenda marketeve produktet që janë me bazë të vajit të palmës dhe produktet që e kanë bazë qumështin natyror”.
“AUVK është duke punuar intensivisht duke marrë mostra në terren, në markete të ndryshme, për t’u siguruar që produktet që shiten e kanë përmbajtjen në bazë të etiketës”.
Hoti ka thënë disa herë se qeveria do ta ndihmojë sektorin e prodhimit dhe përpunimit të qumështit me të gjitha kapacitetet që ka.
“Do t’iu qëndrojmë afër duke inspektuar në mënyrë rigoroze tregun për t’u siguruar se konsumatorët e kanë të qartë çfarë blejnë. Kur hynë në markete këto produkte do të shiten në dy lokacione të ndryshme brenda marketeve, derisa AUVK do të jetë shumë i angazhuar në terren për të marrë mostra dhe bërë testimet e nevojshme”.
“Është kompetencë ligjore e AUVK dhe Ministrisë së Tregtisë, si dhe është obligim ligjor që të jenë rigorozë në terren ndaj atyre që shkelin Ligjin për Mbrojtje të Konsumatorit duke mos i shitur produktet ashtu siç shkruan në etiketë”.
“Po punojmë me Ministrinë e Bujqësisë që t’iu dalim në ndihmë fermerëve dhe përpunuesve të qumështit në këtë kohë të vështirë, jo vetëm për ta, por edhe për shumicën e sektorëve në vend. Sektori i qumështit ka efekte multiplikuese në krejt zinxhirin e bujqësisë, prandaj sot po e bëjmë të qartë para fermerëve dhe përpunuesve të qumështit se do të jemi afër me mbështetje me të gjitha kapacitetet ligjore që i kemi në dispozicion duke respektuar edhe tregun dhe konkurrencën e lirë në treg”.
“Kemi dhënë premtimin publik dhe po bëjmë përgatitjet e nevojshme për të dyfishuar subvencionimin e krejt sektorit të bujqësisë, duke e ditur se edhe kjo nuk e zgjidh tregun nëse nuk tejkalohet sa më parë situata e pandemisë”.