Ministri i Punëve të Brendshme Agim Veliu ka informuar kabinetin qeveritar lidhur me aksionin e të premtes për goditjen e veprimtarive të paligjshme, me theks të veçantë kazinotë ilegale, në Karaçevë.
“Policia e Kosovës në bashkëveprim me Inspektoratin Policor ka arritur që pas një procesi të gjatë hetimor të sigurojë prova materiale dhe dëshmi të tjera relevante me pasqyrimin e plotë të veprave penale të specifikuara. Të gjendur përballë fenomenit kriminal të mbështetur me dëshmi të bazuara dhe të provuara përmes përdorimit të metodave, masave dhe veprimeve ligjore të Policisë së Kosovës dhe IPK-së në drejtim të luftimit dhe parandalimit, si dhe për t’iu pamundësuar të inkriminuarve vazhdimin e veprimtarive kriminale që rrezikojnë rendin publik dhe sistemin e sigurisë është implementuar plani operativ që është realizuar në tri operacione të njëkohshme më 18 shtator – Karaçëve e Epërme, Zona e Kazinove, disa fshatra të Kamenicës dhe në qytet, dhe po ashtu në Prishtinë, Gjilan, Viti dhe Lipjan”.
Ai në mbledhjen e qeverisë ka thënë se 30 personave të ndaluar nga 37 të arrestuarit në këtë aksion iu është vazhduar masa e paraburgimit për 30 ditë, njofton Klan Kosova.
“Janë arrestuar gjithsej 37 persona, 30 nga të cilët janë ndaluar me vendim të prokurorit kompetent për procedurë të mëtejme. Të 30 të ndaluarve iu është vazhduar masa e paraburgimit për 30 ditë. Në zonën e Karaçevës është ushtruar urdhër-kontrolli në 12 lokacione/objekte ku janë sekuestruar rreth 220 aparate, gjashtë shtëpiza kompjuterike, një armë me gaz, një karikator dhe një kombi me kafshë të kontrabanduara. Pas ekzaminimit të objekteve dhe tërheqjes së provave materiale në këtë zonë janë rrënuar 13 objekte me përkrahjen e Komunës së Kamenicës”.
Ministri i Punëve të Brendshme ka paralajmëruar se mund të këtë vazhdim të këtij aksioni ditëve të ardhshme.
“Lidhur me këtë rast, hetimet vazhdojnë ende dhe mund të këtë vazhdim të aksionit edhe në ditët në vijim”.
Veliu ka folur edhe për operacionet që janë realizuar njëkohësisht në Prishtinë, Kamenicë, Gjilan, Viti dhe Lipjan.
“Në operacionin e realizuar në Prishtinë janë ndaluar tre të dyshuar. Gjatë kontrollit të shtëpive janë gjetur një set pokeri, katër palë letra bixhozi, dy fleta A4 shënime, një bllok shënimesh dhe një karikator i zbrazët. Me aktvendim për ndalim, të dyshuarit janë në qëndrim”.
“Grupet kriminale të kontrabandës kryesisht në fshatrat e Kamenicës, po ashtu edhe Gjilan, Viti dhe Lipjan, janë kontrolluar 28 lokacione ku në zbatim të urdhër kontrollit kanë marrë pjesë njësitë policore, njësitë e rendit, IPK-ja, zyrtarë të Agjencionit të Ushqimit dhe Veterinarisë dhe Dogana po ashtu”.
“Në operacion kanë marrë pjesë gjithsej 317 zyrtarë të ndryshëm policorë nga njësi të ndryshme, si dhe nga Drejtoria e Krimeve Ekonomike, Drejtoria e Trafikimit me Qenie Njerëzorë, Forenzika, Krimet Kibernetike, Njësitë Speciale, policë të rendit, K9- Njësia me Qen dhe zyrtarë të tjerë policorë”.