Impakti i pandemisë tek të rinjt

COVID-19 (e njohur edhe si koronavirus) ka shkaktuar një pandemi globale dhe krizën më të madhe të shëndetit publik që kemi përjetuar që prej Luftës së Dytë Botërore. Parashikohet që kjo situatë do të ketë implikime të mëdha në shoqëri, që do të zgjasin për një periudhë relativisht të gjatë, e që do të prekë shumë sektorë, si: tregtia ndërkombëtare, industria ushqimore, turizmi, transporti, patundshmëria, prodhimi, financat, shkollimi dhe punësimi.

Në anën tjetër, resursi më i madh që Kosova ka për zhvillim është ai human, pra rinia e saj, e cila është e shëndoshë dhe e aftë për tregun e punës. ”Sipas regjistrimit të popullsisë në vitin 2011, të rinjtë (0-14 vjeç) ishin 25.7 për qind e popullsisë, ndërsa grupi në moshë pune (15-64 vjeç) llogaritej për 67.6 për qind dhe të moshuarit (65+ vjeç) ishin 6.8 për qind të popullsisë” (Cojocaru, 2017).

Duke u nisur nga fakti që Kosova ka një nga popullsitë më të reja në kontinentin evropian, pasojat e pandemisë në të ardhmen e afërt për vendin tonë mund të jenë shumë më të mëdha e brengosëse se këto aktuale.

Marrë parasysh popullsinë të re në moshë në Kosovë, përllogaritet që një pjesë e konsiderueshme e kësaj popullate aktualisht vijojnë studimet, dhe shpërthimi i COVID-19 paraqet një krizë të madhe për edukimin. Sipas UNESCO, mbyllja e shkollave rritë pabarazitë në mësim, e në të njëjtën kohë, dëmton fëmijët e ndjeshëm dhe të rinjtë në mënyrë disproporcionale. Praktika e mbylljes së shkollave është ndjekur dhe zbatuar nga 177 vende në botë, duke afektuar 1.26 miliardë (72.4%) të studentëve.

Meqenëse janë mbyllur shkollat, është ndryshuar edhe struktura e mësimit, duke improvizuar kështu me metodën virtuale, për t’u përshtatur me këtë situatë të pazakontë. Organizimi i mësimit në distancë u organizua edhe nga Ministria e Arsimit në Kosovë. Përmbajtjet mësimore janë përgatitur për mbi 234,000 nxënës të arsimit fillor dhe atij të mesëm të ulët. Në të njejtën kohë, është realizuar mësimi në distancë për mbi 77,900 nxënës të arsimit të mesëm të lartë, përmes platformave të ndryshme digjitale (Ministria e Arsimit, Shkences, Teknologjise dhe Inovacionit, 2020).

Hulumtimi jonë është kryer me 80 të rinjë, dhe është kryer duke perdorur metodën ‘snowball’. Pra, nuk ka kornizë të mostrës, e rrjedhimisht nuk përfaqëson rezultatet për të gjithë popullatën. Nga anketimet tona të bëra për të determinuar impaktin e pandemisë tek të rinjtë, kur janë pyetur në lidhje me vazhdimin e mësimeve online, gjysma e të anketuarve (55%) i kanë ndjekur mësimet online përkundër situatës, mirëpo kanë deklaruar që efektiviteti i kësaj metode nuk është në nivelin e dëshiruar. Vetëm 23% janë shprehur se mësimi në distancë ka qenë efektiv.

Eshtë vënë re që ky shpërthim do të ketë implikime tek shumë studentë sa i përket fazës së ndërgjegjësimit për mundësitë e studimit në nivel ndërkombëtar. Lidhur me këtë çështje, është bërë një studim edhe nga educations.com. Në këtë studim janë mbledhur të dhëna nga më shumë se 7400 studentë aktual me një shtrirje të gjerë gjeografike në Amerikën Jugore, atë Veriore, Evropë, Afrikë, Australi dhe Azi. Gjysma e këtyre studentëve janë shprehur se kjo situatë ka ndikuar në planet për studime jashtë vendit. Pavarësisht zhvillimeve të fundit, vetëm 5.4% kanë anuluar planet e tyre. Kjo përqindje demonstron se përderisa studentët kanë ende shumë paqartësi, ata janë shumë pasionantë për të ardhmen dhe nuk po heqin dorë nga planet e tyre.  

Ndërsa në hulumtimin tonë, 29 nga 80 respondentë kanë shqyrtuar mundësinë për studime jashtë vendit gjatë kësaj periudhe. Vetëm 10 të anketuar (17.9%) janë optimistë se planet do të vazhdohen ashtu siç janë planifikuar; 18 nga ta (32.2%) mendojnë se ato do të shtyhen për një periudhë të pacaktuar; 6 nga ta (10.7%) janë pesimistë për ato plane; ndërsa përqindja më e madhe (39.3%) nuk janë të sigurtë se çfarë do të ndodhë.

Kjo krizë solli një dilemë mes mbylljes së shkollave (në mënyrë që të zvogëlohet kontakti dhe të shpëtohen jetë) dhe mbajtjes së tyre hapur (duke lejuar njerëzit që të punojnë dhe të mbajnë ekonominë aktive). Megjithatë, mësimi po vazhdon të mbahet në mënyrë virtuale, edhe pse mund të konsiderohet si një shok për produktivitetin dhe jetën sociale tek fëmijët dhe të rinjtë. Mendohet se këto ndërprerje të mësimit nuk do të kenë efekt afatshkurtër, por pasojat e tyre do të shihen edhe në periudhë afatgjate tek grupet e prekura.

Ndikim edhe më i madh se në shkollim, është vërejtur në çështjet të cilat ndërlidhen më ekonominë në përgjithësi, e punësimin në veçanti. Prej praktikave të mëhershme, një fazë e tillë e recesionit  asocohet me rritje të papunësisë dhe falimentim të bizneseve. Këtë dukuri e kemi vërejtur edhe nga të dhënat e hulumtimit, edhe pse ende jemi në hapat e parë të ballafaqimit me këtë problem. Nga 80 respondentë, 31 prej tyre kanë qenë duke punuar në fillimin e pandemisë, ndërsa vetëm 21 janë të punësuar momentalisht.

Duke parë situatën e krijuar, është zvogëluar edhe numri i ndërmarrjeve të regjistruara në Kosovë. Agjencia e Statistikave të Kosovës ka publikuar Repertorin Statistikor mbi Ndërmarrjet Ekonomike në Kosovë për tremujorin e parë (TM1) 2020. “Në tremujorin e parë të vitit 2020 (TM1 2020) gjithsej janë regjistruar 2311 ndërmarrje. Krahasuar këtë tremujor me tremujorin paraprak (TM4 2019) ka një rënie prej (-9.94%) të ndërmarrjeve të regjistruara”.

Më 7 prill, ILO (Organizata Ndërkombëtare e Punës) ka parashikuar se në çerekun e dytë të vitit 2020, do të ketë 195 milion vende të humbura të punës me orar të plotë. Në të njejtën kohë, është vlerësuar se vetëm në çerekun e parë të vitit, janë humbur 30 milion vende të punës, krahasuar me 25 milion gjatë krizës financiare të vitit 2008. 

Frika dhe pasiguria për vendet e punës është e pashmangshme. Në lidhje me këtë, 52.5% nga të anketuarit ndihen të rrezikuar për punësimin e tyre.

Kriza pandemike ka prekur ekonominë e të gjitha vendeve në mënyrë të paevitueshme. Kjo krizë ka shkaktuar recesionin më të madh global në histori, me më shumë se tri të katërtat e popullsisë së botës në izolim.

Dy faktorët e lartpërmendur, domosdoshmërisht ndikojnë edhe në rrafshin social, pra në shëndetin mendor dhe gjendjen emocionale të njerëzve. Aspekti i fundit që është trajtuar në këtë hulumtim, por jo edhe nga rëndësia, ndërlidhet me nivelin e ankthit, frikës, aspektit mendor dhe reflektimit gjatë kësaj periudhe. Këtu afektohen të gjitha segmentet e popullsisë dhe është veçanërisht e dëmshme për disa grupe, duke përfshirë njerëzit që jetojnë në varfëri, të moshuarit, personat me aftësi të kufizuara dhe të rinjtë.  

Së fundi, UK Youth në një raport me titull “The Impact of COVID-19 on young people & the youth sector” (Impakti i COVID-19 tek të rinjtë dhe sektori i rinisë), në bazë të të dhënave të marra, parashikon se ndikimi tek të rinjtë do të fokusohet kryesisht në:

  1. Rritjen e problemeve që lidhen me shëndetin mendor;
  2. Rritjen e vetmisë dhe izolimit;
  3. Mungesën e vendeve të sigurta;
  4. Lidhjet sfiduese familjare;
  5. Mungesën e lidhjeve të besueshme;
  6. Rritjen e presionit nga rrjetet sociale;
  7. Rrezik më të lartë për përfshirje në banda, abuzim me substanca narkotike, mbajtje e armëve ose praktika tjera të rrezikshme, dhe;
  8. Rrezik më të lartë për shfrytëzim seksual.

Duke qenë të vetëdijshëm që po përballemi me një realitet të ri, vazhdimisht janë dhënë rekomandime që të kujdesemi për shëndetin mendor, po aq sa për atë fizik.

Pjesa më e madhe e të anketuarve (33.8%) janë mesatarisht të shqetësuar me situatën aktuale; 11.3% ndihen shumë të shqetësuar; e 12.5% aspak të shqetësuar.

Shumica dërrmuese e të anketuarve, gjatë këtyre javëve të fundit, kanë reflektuar për stilin e tyre të jetës. Me tejkalimin e krizës dhe rikthimin në normalitet, në mes të tjerash, pjesëmarrësit kanë deklaruar që do të mundohen t’i shijojnë më tepër gjërat e vogla në jetë (67.1%) dhe do të mundohen të kalojnë më tepër kohë afër familjeve të tyre (46.8%).

Megjithatë, edhe pse jemi duke u ballafaquar me këtë pandemi që nga Marsi, është akoma e paqartë se si do të zhvillohen gjërat, dhe cili do të jetë impakti real i kësaj pandemie si në aspektin e shkollimit, punësimit, por edhe në aspektin social. Vala e dytë, e paralajmëruar në vjeshtë vetëm po troket në dyert tona, pasiqë po vërejmë rritje të rasteve në të gjithë botën pas sezonit të verës.

Tashmë, vetëm po i afrohemi hapjes së shkollave, mirëpo mbetet e paqartë nëse mësimi do të mund të zhvillohet normalisht, apo përsëri do të duhet t’i rikthehemi mësimit online. Ekonomia veçse ka filluar të hapet gjithandej nëpër botë, mirëpo parashikimi për recesion ekonomik, si dhe parashikimi për rënje ekonomike deri në 4,5% sipas Bankës Botërore, do të lënë gjurmë edhe për një kohë në tregun e punës në Kosovë. Ndërkaq, Qeveria e vendit duhet që t’i kushtojë më shumë rëndësi shëndetit mental në përgjithësi, e tek të rinjtë në veçanti, në mënyrë që kjo krizë të mos lejë pasoja të cilat do të mund t’i kushtonin vendit viteve në vijim.

Amar Abrashi

“Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Europian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e Instituti-t Riinvest dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Europian ose BIRN-it dhe AGK- së”