Në tregun e Kosovës operojnë 725 kompani nga shteti i Turqisë, me një kapital prej rreth 1.2 miliard euro, tregojnë të dhënat zyrtare të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë në Qeverinë e Kosovës.
Këto kompani veprimtarinë e tyre e zhvillojnë në fushën e energjisë, telekomunikacionit, sistemit bankar, arsimit, tekstilit dhe shëndetësisë.
Turqia vazhdon të mbetet një ndër partnerët më të mëdhenj tregtar dhe një nga tre shtetet me praninë më të madhe të investimeve direkte në Kosovë, pas Gjermanisë dhe Zvicrës.
Njëherësh, është një ndër shtetet e para që ka njohur Kosovën, pas shpalljes së pavarësisë në shkurt të vitit 2008.
Sipas të dhënave të Odës Tregtare Kosovare – Turke, investimet nga Ankaraja zyrtare në Kosovë nga viti 2009 deri më 2019 kanë qenë rreth 450 milionë euro. Sektori energjetik përbën 31 për qind të te gjithë investimeve, pasuar nga sektori i financave dhe ai i transportit, thuhet në një përgjigjeje nga kjo Odë për Radion Evropa e Lirë.
Përveç investimeve direkte, Prishtina dhe Ankaraja zyrtare kanë edhe shkëmbime tregtare.
Vetëm gjatë vitit të kaluar, importi i mallrave nga Turqia në Kosovë ka arritur vlerën prej 431 milionë euro, kurse nga muaji janar deri në korrik të këtij viti, Turqia ka importuar në Kosovë mallra në vlerë prej 220 milionë eurosh.
Ndërkaq, eksporti i produkteve “Made in Kosova” për në Turqi, vitin e kaluar ka qenë 8 milionë euro, përderisa gjatë këtij viti janë eksportuar mallra në vlerë prej 6 milionë eurosh.
Kosova dhe Turqia në vitin 2013 kanë nënshkruar edhe një marrëveshje tregtare, e cila parashikon heqjen e tarifave doganore për një numër të madh të produkteve, kryesisht industriale. Turqia e kishte aprovuar marrëveshjen me Kosovën qysh në vitin 2015. Por, në Prishtinë, ajo u dekretua nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në qershor të vitit 2019.
Në Kosovë, që nga viti 2004 vepron edhe Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA).
Nga ajo periudhë, kjo organizatë ka realizuar qindra projekte të ndryshme, si ndërtim të parqeve, ndërtim të objekteve të mjekësore, ka restauruar një numër të madh të xhamive, por edhe ka bërë investime në ndërtimin e xhamive të reja në gjithë Kosovën. Përfaqësues të kësaj agjencie në Kosovë, deri në publikimin e këtij teksti, nuk kanë dhënë ndonjë përgjigje për Radion Evropa e Lirë se sa është shuma e përgjithshme për projektet e realizuara në Kosovë.
Eksperti i ekonomisë, Safet Gërxhaliu thotë se qasja e investimeve të shtetit turk në Kosovë duhet të ndryshojë. Ai shton se destinimi i investimeve duhet të orientohet në hapjen e vendeve të reja të punës dhe jo në ndërtimin e objekteve të kultit.
“Çka është më shqetësuese, në qoftë se bëhet një analizë e qasjes se Turqisë në vendet e Ballkanit Perëndimor, në shtetet e Ballkanit Perëndimor investimet turke kanë efekte pozitive, qoftë në punësim, prodhim, qoftë në përmirësim të bilancit të pagesave. Kurse, në Kosovë për fat të keq, këto ndihma vijnë shumë më tepër për ndërtim të xhamive, renovim të teqeve të ndryshme dhe e tëra kjo nuk krijon stabilitet ekonomik dhe social”, tha Gërxhaliu për Radion Evropa e Lirë.
Në anën tjetër, profesori i ekonomisë në Universitetin e Prishtinës, Berim Ramosaj shprehet se Qeveria e Kosovës duhet të gjejë ndonjë mënyrë, që t’i japë përparësi investitorëve nga shtetet perëndimore.
“Përparësia e investimeve nga vendet e Perëndimit është sepse janë kompani ndërkombëtare me staf dhe eksperiencë ndërkombëtare, në fusha të caktuara. Nuk është i njëjtë sikurse një investitor që vjen nga vendet e Lindjes, i cili mund të sjellë para, por nuk mund të sjellë eksperiencë”, thekson Ramosaj.
Por, Safet Gërxhaliu shton se Turqia duhet ta trajtojë tregun e Kosovës njësoj sikur tregjet e vendeve të rajonit.
“Në këtë drejtim besoj se duhet të ndryshojë qasja e të bërit biznes ne mes Kosovës dhe Turqisë. Nuk duhet të jetë Kosova një hapësirë ku duhet të promovohet kultura dhe tradita turke. Duhet të forcohet partneriteti, duhet të respektohet e kaluara, por definitivisht të bërit biznes me Kosovën duhet të jetë i njëjtë, siç bëhet qoftë në Serbi, Mal të Zi, Bosnjë dhe Hercegovinë dhe çdo vend tjetër evropian”, thotë Gërxhaliu.
Tregtia mes Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë ka shënuar rritje prej 430 milionë dollarë në vitin 2002 në 3 miliardë dollarë gjatë vitit 2016, ku një e treta e kësaj vlere paraqet tregtinë mes Serbisë dhe Turqisë.
Një nga objektet e kultit që do të ndërtohet nga Bashkësia Islame Turke në Kosovë, me kosto prej rreth 40 milionë eurosh, është Xhamia e Madhe në Prishtinë, ndërtimi i se cilës ka filluar gjatë këtij viti në Lagjen “Dardania”.
Përveç investimeve direkte, në Kosovë disa nga kompanitë me kapital më të madh financiar janë dhënë më koncesion konsorciumeve turke.
Konsorciumi turko-francez, Limak –Aeroport de Lyon, në vitin 2010 ka marrë me koncesion për 20 vjet Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, me obligimin që të investojë mbi 100 milionë euro në të.
Ndërsa në vitin 2012, konsorciumi turk Limak–Çalik privatizoi rrjetin kosovar të shpërndarjes dhe furnizimit me energji elektrike, duke e blerë atë për 26.3 milionë euro.
Bechtel-Enka, konsorciumi amerikano-turk, ka bërë ndërtimin e dy autostradave, atë që lidhë Kosovën me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut me një vlerë mbi 1.6 miliard euro.
Edhe një numër i institucioneve arsimore funksionojnë në Kosovë nga investimet turke.
Që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, qeveritë e të dy shteteve kanë nënshkruar 43 marrëveshje dhe protokolle bashkëpunimi, si në fushën e ekonomisë, arsimit dhe shëndetësisë.