Presidenti Hashim Thaçi ka kujtuar 19 vjetorin e sulmeve terroriste në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Me shumë dhimbje kujtojmë 11 shtatorin e vitit 2001, ku nga sulmet terroriste në Qendrën Botërore të Tregtisë në Nju Jork dhe në Pentagon humbën jetën mijëra civilë të pafajshëm nga SHBA-ja dhe vende të ndryshme të botës”.
“Por, po ashtu, kujtojmë edhe heroizmin e udhëtarëve në aeroplanin e United Airlines, që parandaluan një goditje tjetër terroriste duke sakrifikuar jetën e tyre me rrëzimin e këtij aeroplani në shtetin e Pensilvanisë. Në kundërpërgjigje ndaj këtyre akteve terroriste, nën udhëheqjen e SHBA-së më pas u krijua fronti global kundër terrorizmit dhe ekstremizmit, ku kontribut të madh ka dhënë edhe shteti ynë”.
“Kosova mbetet e përkushtuar në luftimin e terrorizmit dhe ekstremizmit kurdo që cenohen vlerat tona të përbashkëta. Sot, sikurse edhe më 11 shtator 2001, ne ndajmë dhimbjen me popullin amerikan”.
“Populli i Kosovës dhe populli amerikan janë të lidhur ngushtë me miqësi të përjetshme dhe u jemi mirënjohës përherë për mbështetjen e dhënë në ditët më të vështira për ne”, shkruan ai në Facebook.