Ish-nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe ish-kandidatja kryeministre e kësaj partie, Vjosa Osmani ka bërë të ditur ditëve të fundit se do të largohet nga partia të cilës i ka takuar tash e një kohë të gjatë.
Osmani para gazetarëve tha se tanimë është vonë për Lidhjen Demokratike të Kosovës që të bashkëpunojnë me të, pasi vendimi i 20 qershorit për shkarkimin e saj nga posti i nënkryetares ka bërë që të jetë kështu, shkruan lajmi.net.
“Natyrisht që po dhe përgjigja konkrete e kësaj është vendimi i tyre i 20 qershorit për të më përjashtuar. Aty ka përfunduar gjithçka”, u shpreh Vjosa Osmani para gazetarëve.
Ajo ka thënë se nuk komunikon me kryetarin i LDK-së, Isa Mustafa por ka pranuar se është në kontakte të shpeshta me kreun e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti për koordinim të agjendave politike.
Në anën tjetër, ekzistojnë zëra se Osmani do të vazhdojnë karrierën e vet politike duke formuar një parti të re, lidere e së cilës do të jetë ajo vetë.
Mirëpo, në skenën politike të pasluftës nuk është asgjë e re që individë me peshë të madhe të largohen nga subjektet politike dhe të nisin parti të reja – por e përbashkëta e të gjitha këtyre nismave është se ato nuk kanë pasur sukses, ose kanë pasur fare pak.
Ishte viti 2007, kur në zgjedhjet e brendshme të Lidhjes Demokratike të Kosovës, ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci dështoi të bëhej kryetar i këtij subjekti politik.
Në janar të këtij viti, ish-kryetari i Kuvendit, Nexhat Daci ndër figurat më me peshë në Lidhjen Demokratike të Kosovës vendosi të vazhdonte karrierën e tij politike me një projekt të ri, Lidhjen Demokratike të Dardanisë.
Daci me vete nga Lidhja Demokratike e Kosovës kishte marrë figura mjaft të rëndësishme të partisë si Besa Gaxherri, Naser Rugova, Xhemajl Hyseni e Lulëzim Zeneli.
Me partinë e tij, Daci në zgjedhjet e vitit 2007 kishte arritur ta kapërcejë pragun zgjedhor me 11 për qind, megjithatë vetëm tri vjet më vonë, në vitin 2010, kishte mbetur jashtë Kuvendit të Kosovës duke arritur vetëm 4 për qind të votave në zgjedhje.
Duke qëndruar më shumë e heshtur për 5 vite me radhë, kryetari i Lidhjes Demokratike të Dardanisë, Nexhat Daci më 30 prill të vitit 2015 vendos të mos e shuaj partinë, por që përsëri të kthehet në shtëpinë e dikurshme, LDD-ja kthehet dhe i bashkohet përsëri LDK-së.
Fat i ngjashëm politik e ka përcjellë edhe Nismën Socialdemokrate – si fraksion i ndarë nga Partia Demokratike e Kosovës.
Ndarja kishte ndodhur në vitin 2013. Në zgjedhjet lokale të mbajtura atë vit në Kosovë, Fatmir Limaj dhe Jakup Krasniqi kishin dal haptazi kundër Partisë Demokratike të Kosovës (PDK). Kundërshtimet e tyre ndaj PDK-së, ata e bënë duke përkrahur Iniciativën Qytetare nëpër vendlindje, duke hapur kështu rrugën për formimin e partisë Nisma Socialdemokrate, në krye me Fatmir Limajn.
Si dy nga figurat kyçe të Partisë Demokratike të Kosovës Limaj dhe Krasniqi nuk është se ia dolën të kishin shumë sukses me iniciativën e tyre politike. Duke parë këtë trend, Nisma Socialdemokrate, pjesëmarrëse në dy palë zgjedhje kishte qenë gjithmonë në koalicion me parti të tjera.
Në koalicion me Partinë Demokratike të Kosovës nga e cila kishte dalë dhe Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma Socialdemokrate kishte arritur të bëhet pjesë e qeverisë së udhëhequr nga Ramush Haradinaj, edhe pse me vetëm 6 ulëse në Kuvendin e Kosovës.
Në zgjedhjet e fundit, Nisma Socialdemokrate, ani pse në koalicion me Aleancën Kosova e Re të Behgjet Pacollit dhe me Partinë e Drejtësisë mezi kishte arritur ta kalonte pragun zgjedhor prej 5 për qind.
E më keq se kaq e kishte pësuar Partia Socialdemokrate. Figurat kyçe të Lëvizjes Vetëvendosje si Visar Ymeri, Shpend Ahmeti, Dardan Sejdiu, Dardan Molliqaj, Fisnik Ismaili, Zgjim Hyseni e të tjerë u ndanë nga LVV për të nisur një projekt politik tjetër.
Ata së bashku formuan Partinë Socialdemokrate në krye me Shpend Ahmetin. Në zgjedhjet e fundit në Kosovë, ata u futën në koalicion me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës ku nuk arritën të fusin asnjë deputet në Kuvendin e Kosovës.
Ky dështim i madh në zgjedhje bëri që shumë nga figurat e kësaj partie të japin dorëheqje nga pozitat udhëheqëse si Visar Ymeri, Shpend Ahmeti e Dardan Sejdiu ndërsa kryetar i këtij subjekti aktualisht është Dardan Molliqaj.
Njëlloj fati e kishte përcjellë edhe ish-deputeten e Aleancës Kosova e Re, Mimoza Kusari-Lila e cila së bashku me Ilir Dedën formuan partinë e quajtur “Alternativa për Kosovën”, por që arritën të futen në Kuvend vetëm në saje të koalicioneve.
Tradicionalisht në Kosovë, fraksionet politike të cilat kanë dalë nga partitë e mëdha kanë dështuar të kenë sukses, por a do t’ia dalë Vjosa Osmani që të ndryshojë këtë trend?
Analisti i njohur Shkodran Ramadani për lajmi.net ditë më parë është shprehur se Osmani i ka kaluar ditët më të mira të saj në politikë dhe sipas tij, ajo me partinë e re do të jetë vetëm aksesorë i Lëvizjes Vetëvendosje.
“Besoj që vitet më të mira të Vjosa Osmanit i kemi kaluar, kulmin e ka pasur para zgjedhjeve dhe tani e ka marrë teposhtëzen, ekziston rreziku dhe nuk mund të kthehet në pozicion ku do të jetë politikanja më e votuar në vend. Ajo mund të jetë aksesor i Lëvizjes Vetëvendosje dhe Albin Kurtit, por assesi një lidere e një fuqie të madhe politike.”, tha Ramadani.
Mbetet të shihet se cili do të jetë vendimi i Osmanit për të ardhmen e saj politike dhe mbetet të shihet nëse do të arrijë të ndërrojë “fatin e errët” të fraksioneve politike që dolën nga partitë e mëdha.