Mospajtimet tek partitë politike të cilat janë në koalicion qeverisës, Lidhjen Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), tashmë kanë dal në pah. Shkak i këtyre mospajtimeve del të jetë dialogu Kosovë-Serbi, në Bruksel, përkatësisht mos koordinimi i kryeministrit Avdullah Hoti me partnerin e koalicionit AAK-në.
Analisti, Arton Demhasaj në një prononcim për Telegrafin ka thënë se AAK-ja sa ka qenë në qeveri e ka kundërshtuar një proces të tillë në Bruksel, për shkak të një niveli të ulët të besimit që e ka nga ky dialog shumëvjeçar.
Ai po ashtu theksoi se mos pajtimet mes LDK-së dhe AAK-së kanë filluar gjatë procesit të negociatave në Bruksel.
“Kundërshtitë që kanë arritur në marrëveshjen aktuale në Uashington lidhen me liqenin e Ujmanit, por megjithatë AAK-ja dhe Haradinaj u pajtuan me këtë marrëveshje. Momentalisht sa i përket marrëveshjes së Uashingtonit nuk është që ka dhe shumë mospajtime se tashmë ajo ka ndodh, por mospajtimet ekzistojnë më tepër në procesin e negociatave në Bruksel. AAK-ja sa ka qenë në qeveri e ka kundërshtuar një proces të tillë në Bruksel, për shkak të një niveli mosbesimi që e ka të një dialogu shumëvjeçar atje. LDK po vazhdon dhe po mban takime në Bruksel dhe këtu janë mospajtimet më të mëdha”, ka thënë ai.
Sipas tij, mospajtimet kanë filluar kur kryeministri Hoti caktoi si koordinator të dialogut, Skender Hysenin pa u koordinuar me partnerët qeveritar.
“Kjo ka filluar me faktin se Hoti ka caktuar koordinatorin për dialog, Skender Hysenin pa u koordinuar me partnerët qeveritar, e kjo ka qenë fillimi i përçarjes brenda koalicionit”, ka thënë ai.
Edhe Arbër Fetahu, nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike ka vlerësuar se për çdo qeveri uniteti karshi një procesi kaq të rëndësishëm, siç është dialogu me Serbinë është jetik.
Fetahu tha se uniteti politik sidomos i shumicës, është predispozitë që një marrëveshje a proces të shkoj deri në fund dhe të implementohet.
“Tashmë koha e ka treguar që pa një shumicë të gjerë dhe kohezion politik dhe shoqëror, marrëveshjet e mëdha e që janë të interesit shtetëror kanë predispozita të dështojnë apo të prolongohen me vite. E njëjta vlen edhe për mospajtimet e fundit dhe mungesën e unitetit politik jo vetëm brenda koalicionit qeverisës por edhe më gjerë. Medoemos mospajtimet e koalicionit qeverisës mund të reflektohen edhe në kalimin e çfarëdo marrëveshjeje në Kuvend. Për të kaluar një marrëveshje pikë së pari duhet të shoshiten dallimet brenda qeverisë dhe të krijohet një pajtueshmëri e gjerë politike, përndryshe me pak numra dhe mungesë të legjitimitetit implementimi i ndonjë marrëveshje mund të dështojë”, tha ai, duke shtuar se nuk duhet lenë anash edhe surprizat që mund të vijnë nga presioni i bashkësisë ndërkombëtarë, e që siç tha Fetahu shpesh e ndryshojnë rrjedhën e gjërave në Kosovë.
Fetahu më tej u shpreh “Shpesh kundërthëniet mes partnerëve të koalicionit në Kosovë janë të mbështjella me interesa meskine e shpesh banale, që jo domosdoshmërish pasqyrojnë çarje karshi temave që ata proklamojnë. Sidoqoftë, mospajtimet kontribuojnë që Kosova të ketë pozicion më të dobët dialogues, kjo për arsye se pala kosovare në këtë rast duhet të punojë në dy drejtime: njëra në uljen e pakënaqësisë së brendshme, dhe e dyta në përfaqësimin e interesave karshi Serbisë në procesin e negociatave. Edhe ky mospajtim i fundit nuk është diçka e re në skenën tonë politike, por është një tregues që ka një mungesë të politikës shtete formuese ku çështjet me rëndësi duhet të trajtohen gjerë e gjatë para çdo nisje a përfundimi”.
Ndryshe, nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini pas takimit që u mbajt të martën në selinë e AAK-së, në një konferencë për medie ka thënë se e vetmja pikë që mund të jetë diskutabile në koalicionin qeverisës është dialogu me Serbinë.