Njohësi i çështjeve të arsimit, Dukagjin Pupovci, vlerëson se për shkak të mospërgjegjësisë institucionale për t’i bërë përgatitjet e duhura u desh që viti shkollor të mos nisë më 1 shtator. Fajin kryesor, sipas tij, e kanë Ministria e Arsimit dhe drejtoritë komunale të arsimit.
Ai thotë se këto institucione kanë pasur kohë të mjaftueshme që t’i bëjnë përgatitjet dhe të mos ketë shtyrje të këtij procesi, shkruan KOHA. Nëse mësimi nuk nis as më 14 shtator, siç është paralajmëruar këtë javë, Pupovci vlerëson se kjo do të jetë një humbje e madhe për nxënësit. Kjo, pasi thotë se nxënësit edhe ashtu kanë mbetur mbrapa nga mësimi i realizuar në distancë.
KD: Këtë javë është dashur të nisë viti shkollor, por është shtyrë për 14 shtator. Ky vendim u mor vetëm 5 ditë para se të niste mësimi për shkak se shkollat nuk ishin të gatshme ashtu siç kishte rekomanduar Instituti Kombëtar i Shëndetësisë publike. Si e vlerësoni këtë shtyrje?
Pupovci: Mendoj se shtyrja vërtet ka ndodhur, për shkak se nuk janë bërë përgatitjet, mirëpo nuk ka arsyetim për këtë, sepse është ditur prej muajit qershor se viti i ri shkollor nuk do të mund të fillojë në kushte normale, prandaj ka pasur kohë të mjaftueshme që të bëhen përgatitjet, e ato konsistojnë në sigurimin e dezinfektuesve për shkolla dhe gjëra që lidhen me prokurimin e që mendoj se kanë mundur të kryhen gjatë verës. Pra, me këtë rast po rikujtoj që dy herë është shtyrë testi i arritshmërisë, me çka është dërguar një mesazh jo shumë i mirë tek nxënësit se shteti nuk është në gjendje të organizojë një test dyorësh për 26 mijë fëmijë e si të pritej se do të organizonte ardhjen në shkolla më 1 shtator të 350 mijë nxënësve të arsimit parauniversitar.