Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka kritikuar dy ish-qeveritë e Kosovës që, sipas tij, kishin “vonuar” marrëveshjen e Mini-Schengenit Ballkanik. Sipas tij, marrëveshja e nënshkruar nga Kosova dhe Serbia të premten në Shtëpinë e Bardhë, s’dallon aspak nga propozimi i tij i kahershëm për Mini-Schengenin në Ballkan.
Në një postim në Facebook, Rama ka thënë se çdo komunikim, takim, apo marrëveshje drejt paqes përfundimtare mes dy vendeve që kanë mbaruar luftën mesvete, është diçka pozitive.
“Të komunikosh me armikun nuk është asnjëherë e gabuar në vetvete; as në mes të luftës, kur kjo është e nevojshme dhe e mundur. E gabuar në vetvete është të mos komunikosh kur e kërkon nevoja dhe krijohet mundësia. Ndërsa të mos komunikosh e të mos takohesh dhe madje të predikosh të kundërtën, e të etiketosh si tradhtarë ata që e bëjnë këtë, kur lufta ka mbaruar e kur armiku i deridjeshëm është fqinji i sotëm e i nesërm me të cilin ende s’ke mbyllur hesapet e paqes, kjo është jo thjesht e gabuar! Është e fajshme”, ka thënë ai.
Rama ka shtuar se s’ka dyshuar asnjëherë që një ditë Kosova do ta pranonte Mini- Schengenin.
Ai e ka quajtur të humbur kot kohën gjatë së cilës Kosova e kishte refuzuar këtë ide. Sipas tij, Kosova po shkonte në një rrugë qorre e po defaktorizohej ndërkombëtarisht edhe me taksën ndaj mallrave serbe. Për këtë “humbje” ka kritikuar dy ish-qeveritë e Kosovës.
“Më ka ‘lodhur’ vetëm refuzimi i pafundmë, koha e humbur kot me shumicë, kompleksimi i dëmshëm i faktorëve racionalë në politikën e Kosovës; të cilët u strukën brenda guackës së absurdit të krijuar nga fansat e turbofolk-nacionalizmit provincial, që e futi Kosovën në një rrugë qorre defaktorizimi ndërkombëtar e ftohjeje me aleatët e saj më të mëdhenj, sidomos Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Gjermaninë. Humbëm jo vetëm kohë e reputacion, me atë taksën e famshme që do gjunjëzonte Serbinë dhe që u kthye në gjobë e lojës së brendshme elektorale duke plagosur Kosovën, po humbëm edhe shanse që s’përsëriten në ndeshjen politike e diplomatike me Serbinë. Them humbëm në numrin shumës, sepse unë nuk e ndaj dot Kosovën nga Shqipëria, sidomos kur vjen puna tek ajo ndeshje, ku autogolat e dy qeverive të mëparshme të Kosovës kanë qenë njëri më spektakolar se tjetri”, ka shtuar ai. “Dhe ku Serbia u kthye në armë në duart e turbofolk-nacionalistëve të Prishtinës, që bashkë me ca aleatë gjysmagjela në Tiranë gjuanin ajrin, duke helmuar e çoroditur njerëzit medemek në mbrojtje të kufijve, po në fakt vetëm për të sunduar brenda kufijve! Asisoj Beogradi mbeti i pasfiduar realisht për të avancuar në procesin e normalizimit drejt paqes përfundimtare, ndërkohë që Prishtina u bë teatri i një lufte vulgare për pushtet, mes ‘patriotëve’ dhe ‘tradhëtarëve’, në daç atje e në daç në Tiranë. Çfarë humori i zi me njerëzit e sidomos me zgjedhësit në Kosovë!”.
Rama e ka quajtur tejet të rëndësishme njohjen e Kosovës nga Izraeli.
Për marrëveshjen ka thënë se ajo asgjë më shumë se që ishte në planin e propozuar nga ai kohë më parë, për Shengenin Rajonal.
“E lexova me vëmendje marrëveshjen e nënshkruar në Zyrën Ovale dhe përtej kënaqësisë që u arrit, falë përfshirjes së Shteteve të Bashkuara – si edhe përtej lajmit fantastik të njohjes së Kosovës nga Izraeli (fort e rëndësishme e me rrjedhime potenciale shumë kuptimplota për ata që dinë ta lexojnë këtë fakt) – kam ndjesinë e hidhur të faktit se çka është firmosur dje, s’ka asgjë që nuk është pjesë e planit të kahershëm për Shengenin Rajonal, rrjedhojë logjike e procesit të Berlinit, ndërkohë që koha e humbur deri dje është rrënqethëse. Inshallah të ketë mbaruar me kaq vrasja e pamëshirshme e saj, po kam frikë se jo dhe inshallah ta kem gabim!”, ka shtuar kryeministri shqiptar.
Sipas tij, “ajo që në shqip u damkos me vite si tradhti kombëtare, në anglisht u kthye brenda një dite në arritje historike”.
Rama ka komentuar edhe pikën e marrëveshjes ku flitet për dalje në Adriatik. Sipas tij, edhe fotografia e famshme ku në Berlin shiheshin kancelarja gjermane, presidentët e Kosovës dhe të Serbisë me një hartë në dorë, kishte të bënte me vijën e asaj rruge.
“Lexova pikën e marrëveshjes ku flitet për një infrastrukturë tokësore që do të nxjerrë Serbinë dhe Kosovën në një port të thellë në Adriatik. Në Durrës i bie, sepse është llafi për atë rrugën Nish – Prishtinë – Durrës, që Saliu (Berisha) e ka pagëzuar si ‘rruga e turpit të tradhëtisë së Edvin Zografit’! Ajo rrugë ka qenë në tryezën e çdo raundi të Procesit të Berlinit, madje Albini pat kujtuar se dolën në shesh hartat e ndarjes së Kosovës, kur pa një foto nga Berlini ku ishte Kancelarja e Gjermanisë, Hashimi, Presidenti i Serbisë dhe unë duke parë vijën e asaj rruge mbi një hartë të Ballkanit Perëndimor!”, ka vazhduar Rama. “Tani hajde ma thoni, si të mos më kujtohet mua që kur Aleksandër Vuqiqi erdhi në Durrës pas tërmetit, mu turrën e më bënë Esad Pashë që nxora Serbinë në det, ndërsa sot që ‘Minishengeni’ në tokë, det dhe ajër është bekuar në Shtëpinë e Bardhë, shumica e damkosësve përshëndesin marrëveshjen, madje edhe vetë puseta digjitale sb nuk bëzan(?)!”
Rama ka thënë se “e keqja” e kësaj është se shqiptarët “i paguajmë kosto të tmerrshme politikës së poshtër të ca bajraktarëve hileqarë, këtej e andej bjeshkëve, të cilët për delirin e tyre të madhështisë dhe etjen e tyre për pushtet, helmojnë popullin papushim me gjuhën e urrejtjes, akuzat e përbindshme, shpifjet e pambarimta, duke pozuar si patriotë të zjarrtë e duke ndjezur përditë zjarrin e dasisë mes shqiptarëve”.
Rama ka përfunduar shkrimin e tij duke thënë se shpreson që marrëveshja e arritur të premten “do të shërbejë për t’u kthjellur e qytetëruar pak më shumë mjedisi politiko-mediatik dhe për t’u lehtësuar e pse jo, maturuar disi, ajo pjesë e opinionit publik që ‘u çmend’ me sinqeritet prej keqkuptimit të madh të ‘Minishengenit’”.
Iniciativa e Mini-Schengenit Ballkanit ishte refuzuar kategorikisht nga ish-kryeministrat Ramush Haradinaj dhe Albin Kurti. Madje ftesat për takim me liderët e rajonit ishin refuzuar edhe nga presidenti Hashim Thaçi. Edhe LDK-ja, që tash është në krye të qeverisë, ishte shprehur kundër kësaj iniciative atë kohë.
“Të dyja palët do t’i bashkohen ‘Zonës së Mini-Schengenit’ të shpallur nga Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut në tetor të vitit 2019 dhe do t’i shfrytëzojnë plotësisht përfitimet nga ajo”, thuhet në pikën e marrëveshjes për Mini-Schngenin, e që u nënshkrua të premten në Washington.