Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar marrëveshje ndaras me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Gjatë kësaj ceremonie i pranishëm ka qenë presidenti amerikan, Donald Trump, i cili është bërë dorëzan i ujdive të nënshkruara nga Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
Marrëveshja e arritur sot është e karakterit ekonomik dhe nuk përfshin pikën e shumëpërfolur të njohjes reciproke.
Lajmi e bëri të ditur asistenti i presidentit Trump, Judd Deere.
“Presidenti Trump njofton se Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për normalizim ekonomik. Edhe një marrëveshje historike e arritur nga ky president, që e bën botën më paqësore dhe më presporues”, ka shkruar ai në Twitter.
Delegacionet e Kosovës dhe Serbisë, që prej 3 shtatorit kanë zhvilluar takime me ndërmjetësimin e këshillit për Siguri Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Robert O’Brien dhe të dërguarin e presidentit amerikan për dialogun, Richard Grenell.
Këto takime u tha se kishin në fokus bashkëpunimin ekonomik.
Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nisi më 2011 me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Shtetet e Bashkuara u përfshin në këtë dialog më shumë, pasi më 4 tetor, 2019, presidenti Trump, emëroi Richard Grenell si të dërguarin e tij të posaçëm në këto bisedime.