Hoti dhe Vuçiq në Shtëpinë e Bardhë, ‘misteri’ i takimit në Uashington

Në Shtëpinë e Bardhë sot (e enjte) pritet të takohen kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Nikoqirë të takimit do të jenë këshilltari amerikan për Siguri Kombëtare, Robert O’Brien, si dhe i dërguari i posaçëm i presidentit amerikan për bisedimet Kosovë-Serbi, Richard Grenell.

O’Brien të mërkurën ka thënë se diskutimet në Shtëpinë e Bardhë, mes përfaqësuesve të Kosovës dhe Serbisë, do të çojnë përpara paqen përmes bashkëpunimit ekonomik.

Paraprakisht ishte bërë e ditur se diskutimet mes këtyre dy shteteve do të zhvilloheshin më 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë. Për tash, nuk është e sigurt se bisedat do të vazhdojnë edhe pas 4 shtatorit.

“Do të kemi një diskutim të enjten, do të shohim se çfarë do të ndodhë. Nëse palët janë të interesuara të bien dakord mbi zhvillimin ekonomik, Shtetet e Bashkuara e dinë se si ta bëjnë këtë dhe ne jemi të gatshëm të ndihmojmë”, ka deklaruar, në kushte anonimiteti, një këshilltar i lartë i presidentit amerikan, gjatë një bisede me gazetarë të martën.

Është paralajmruar se projektet infrastrukturore do të jene temat e takimit të liderëve të Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë. Në kuadër të kësaj, pritet finalizimi i marrëveshjeve për transportin ajror, rrugor dhe hekurudhor mes Kosovës dhe Serbisë, çështjet mbi të cilat Kosova dhe Serbia në fillim të këtij viti kanë arritur pajtim me qëllim të normalizimit të transportit, me ndërmjetësimin e Grenell.

“Ne jemi të përqëndruar kryesisht në zbatimin e marrëveshjeve për të cilat kemi rënë dakord tashmë – për linjën ajrore, hekurudhën dhe autostradën. Këto marrëveshje do të na lejojnë të ndërtojmë zhvillimin ekonomik “, ka thënë një zyrtar i administratës amerikane, duke shtuar se këto marrëveshje, të cilat nuk janë zbatuar ende, do të diskutohen këtë javë.

Megjithatë, sipas tij, bisedimet do të zhvillohen për “çdo çështje” për të cilën palët bien dakord.

“Ne do të testojmë nëse ekziston dëshira nga ana e palëve për të folur në lidhje me këto çështje. Mendoj se do të paraqesim pothuajse çdo çështje, por do të varet nga ata nëse duan të shkojnë më tej”, tha ai.

Aktualisht, ende nuk është vendosur nëse presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, do të marrë pjesë në takimin mes liderëve të Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë.


Letra e shprehjes së interesit për linjën ajrore Prishtinë – Beograd, është nënshkruar më 20 janar në Berlin. Delegacionet nga Prishtina dhe Beogradi, me ndërmjetësimin e diplomatëve amerikanë, Grenell dhe O’Brien, kanë nënshkruar marrëveshje me kompaninë gjermane, “Lufthansa”, e cila do të operojë në këtë linjë.

Rrjedhimisht ky korridor do të shkurtojë edhe kohën e fluturimit. Distanca rrugore nga Prishtina në Beograd është 350 kilometra, rreth katër orë me makinë.

Linja ajrore Prishtinë – Beograd synon të normalizojë hapësirën ajrore dhe trafikun ajror në Kosovë. Vendosja e kësaj linje, sipas një komunikate për media të Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës, mund të bëhet pas aranzhimeve mes autoriteteve të aviacionit dhe NATO-s në kuadër të mekanizmit për normalizimin e hapësirës ajrore të Ballkanit Perëndimor.

Sipas kësaj letre të interesit, Aeroporti i Beogradit mund të shfrytëzohet edhe si destinacion për pasagjerë për të udhëtuar në shtete të ndryshme të Evropës dhe botës.

Fluturimet ajrore në mes Kosovës dhe Serbisë u ndërprenë në vitin 1999. Atë kohë, Serbia humbi kontrollin mbi Kosovën pas bombardimeve të NATO-s në vitin 1999 që si synim kishin mbrojtjen e popullatës civile dhe dëbimin e forcave serbe, duke i dhënë kështu fund luftës në Kosovë.

Më pas, me 14 shkurt, delegacionet nga Kosova dhe Serbia me ndërmjetësimin e ambasadorit amerikan në Gjermani, Richard Grenell kanë nënshkruar në Mynih të Gjermanisë dy letra të shprehjes së interesit, atë për autostrada dhe atë për hekurudha përmes së cilave të dy vendet shprehin gatishmërinë për hapjen e rrugëve ekzistuese, por edhe për ndërtimin e rrugëve të reja që lidhin dy shtetet me rajonin dhe me BE-në.

Këto pajtime mes Kosovës dhe Serbisë janë arritur në kohën kur dialogu i lehtësuar nga Bashkimi Evropian ishte pezulluar për shkak të vendimit të Qeverisë së Kosovës për vendosjen e taksës doganore 100 për qind për produktet më origjinë nga Serbia.

Sa i përket transportit rrugor, autoritetet kompetente në Prishtinë, vite më parë, kanë pohuar se e kanë të përgatitur projektin për autostradën Prishtinë – Merdare – Nish, projekt ky që mund të vazhdohet në kuadër autostradës që aktualisht lidhë Kosovën me Shqipërinë. Kurse, në të ardhmen ajo mund t’i lidhë të tri vendet.

Transporti hekurudhor në Kosovë paraqitet si një prej sistemeve më të dobëta në rajon. Aktualisht, në qarkullim janë vetëm dy linja nëpër të cilat kalojnë trenat e Kosovës. Linja Prishtinë – Hani i Elezit dhe ajo Prishtinë -Pejë. Të dy linjat bëjnë vetëm transportin e udhëtarëve.

Ndryshe, Grenell pati deklaruar po ashtu se kur kishte marrë misionin nga presidenti Donald Trump për ndërmjetësim në dialogun Kosovë-Serbi, ishte frymëzuar pikërisht nga zhvillimi i fuqishëm ekonomik që kanë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, andaj edhe në këtë aspekt ai e ka përqëndruar agjendën e tij që përmes ekonomisë, hapjes së vendeve të punës dhe investimeve, të arrihen gjëra të mëdha në mes të dy vendeve, por edhe rajonit.

Ambasadori Grenell, është zotuar se në misionin e tij ndërmjetësues, do të fokusohet që Prishtina dhe Beogradi t’i tejkalojnë çështjet e hapura nga fusha e ekonomisë, në mënyrë që të vazhdohet tutje drejt arritjes së një marrëveshje për normalizimin e raporteve, e cila sipas tij do të ishte e domosdoshme që Kosova dhe Serbia të krijojnë një ekonomi të qëndrueshme dhe joshëse për investimet nga jashtë.

Udhëheqësi i Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë në Dhomën e Përfaqësuesve, Eliot Engel, ka deklaruar të mërkurën se rikthimi i dialogut këtë javë në Uashington mes Kosovës dhe Serbisë, është hap pozitiv, ndonëse ka përmendur se zgjidhja përfundimtare duhet të përfshijë disa parime kyçe.

Ai ka thënë se ndonëse nuk ka asgjë të keqe për rritje të ekonomisë dhe zhvillimit ekonomik, konflikti politik kërkon zgjidhje politike.

Ndryshe, takimi në Shtëpinë e Bardhë midis Kosovës dhe Serbisë, është i dyti i tillë i thirrur nga Uashingtoni.

Takimi i planifikuar më 27 qershor është anuluar pak ditë para mbajtjes, pasi Zyra e Prokurorit të Specializuar me seli në Hagë ka njoftuar se ka paraqitur një aktakuzë për krime lufte ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili ka qenë i ftuar në takimin e Uashingtonit. /Rel/