Deputeti me prejardhje shqiptare, lider i koalicionit “E zeza mbi të bardhën”, Dritan Abazoviq, u ka bërë thirrje qytetarëve malazezë ta ruajnë qetësinë, pas përplasjeve të së hënës mbrëma në Podgoricë.
“Thërras qytetaret ta ruajnë paqen, do të ketë kohë për festë. Qëndroni nëpër shtëpitë e juaja. Ta kthejmë qetësinë në Mal të Zi, pasi që askush nuk ka nevojë për tensione, pos atyre që e humbën pushtetin”, ka thënë Abazoviqi.
Abazoviqi ka deklaruar se nuk do të bëhet kurrfarë kompromisi me interesat shtetërore të Malit të Zi.
“Mali i Zi nuk do të bëhet as ‘Sparta Serbe’ dhe as ‘Shqipëria e Madhe’”, ka thënë ai.
Ai ka shtuar se ndryshimet është dashur të ndodhin dhe se kjo është gjë e keqe vetëm për mafien, që do të përgjigjet para ligjit.
“Jemi koalicion që qytetarëve u ka ofruar ndryshime. Asnjë presion të cilit po i nënshtrohem vazhdimisht, nuk do të më sprapsë nga synimi që në Mal të Zi të ndërrohet pushteti mbi tridhjetë vjeçar. Jam bërë imun ndaj atyre presioneve”, ka porositur Abazoviq.
Ai shpreson se pjesë e qeverisë malazeze do të jenë edhe partitë shqiptare: “Kam pasur disa marrëveshje në parim edhe me partitë shqiptare, besoj se ekziston vullneti”.
Abazoviq ka thënë se tani duhet të ulen tensionet, duke shtuar se nuk do t’i sprapset përballë presioneve dhe se “interesi më i madh i tiji është interesi shtetëror i Malit të Zi”.
“Ju jap fjalën se ky grup nuk do ta rrezikojë për asnjë milimetër interesin shtetëror”, ka thënë ai.