Ministria e Punëve të Jashtme vazhdon të abuzojë me Ligjin për shërbimin e jashtëm duke ua vazhduar qëndrimin nëpër misione ambasadorëve politikë, të cilëve prej muajsh u ka skaduar mandati.
KOHA merr vesh se duke përdorur si pretekst situatën me pandeminë, ministrja Meliza Haradinaj javën e kaluar ka nxjerrë dy vendime nëpërmjet të cilave ua ka vazhduar mandatin deri më 30 shtator ambasadorit të Kosovës në Bruksel, Bernard Nikaj dhe ambasadorit në Japoni, Leon Malazogu. Malazogut i ka skaduar mandati më 5 prill, kurse Nikajt më 6 prill të këtij viti.
Të dy këta janë emëruar në vitin 2016 me çelës politik.
Sipas Ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe shërbimin diplomatik, të emëruarit në pozitën e ambasadorit dhe shefit të misioni që nuk janë anëtarë të shërbimit të jashtë shërbejnë vetëm për një mandat.
“7.8. Të emëruarit në pozitën e ambasadorit dhe shefit të misionit që nuk janë anëtarë në detyrë të Shërbimit të Jashtëm të Republikës së Kosovës shërbejnë vetëm për një mandat, dhe pas përfundimit të këtij mandati nuk konsiderohen pjesë e Shërbimit të Jashtëm”, thuhet në këtë ligj.
Për të dy këta ekziston edhe një dekret i firmosur nga presidenti për tërheqje nga misionet diplomatike.
Një burim brenda Ministrisë së Jashtme i ka thënë KOHËS se, pavarësisht arsyes për vazhdim të mandatit, Malazogu aktualisht ndodhet në Kosovë. I kontaktuar nga KOHA, Malazogu ka thënë se ka marrë pushimin e mbetur vjetor. Por sa i përket rastit ka shtuar se nuk i lejohet të deklarohet, por që pyetjet i ka përcjellë në MPJ. Deri në përfundim të orarit të punës, Ministria të hënën nuk ka ofruar përgjigje.
Nikaj e Malazogu kanë qenë në mesin e dhjetëra diplomatëve të cilëve edhe ish-ministri Glauk Konjufca ua kishte vazhduar qëndrimin nëpër misione deri më 31 gusht, për shkak të situatës me pandeminë e koronavirusit.
Zyrtarë të ish-kabinetit të Konjufcës kanë thënë se tashmë nuk ka arsye për vazhdim të mandatit.
Në fillim të mandatit, ish-ministri Konjufca pati propozuar kthimin e shtatë ambasadorëve politikë, në mesin e të cilëve nuk ishin Nikaj e Malazogu. Sipas Ahmetit, ata nuk ishin përfshirë pasi ka ekzistuar dekreti për tërheqje.
Kohën kur ishin emëruar ambasadorë Nikaj e Malazogu, procesi qe përcjellë me parregullsi të mëdha.
Prej disa muajsh ish-presidentja Jahjaga pati refuzuar dekretimin e tyre duke kërkuar prej Ministrisë së Jashtme t’i përmbahet kuotës 50/50 mes të emëruarve politikë dhe diplomatëve të karrierës. Pas përmbushjes së kësaj kërkese, Jahjaga në ditën e fundit si presidente, më 6 prill të vitit 2016, pati dekretuar Nikajn e Malazogun krahas shtatë ambasadorëve të tjerë dhe një konsulli.
KOHA ka raportuar në vazhdimësi se ministrja Haradinaj ka aplikuar standarde të dyfishta kur ka shqyrtuar ligjshmërinë e vendimeve për kthimin e diplomatëve. Ndonëse arsyeja e kthimit ishte qëndrimi i jashtëligjshëm i tyre në misione, Haradinaj ka vendosur që disave t’ua zgjasë qëndrimin e disa t’i kthejë në Ministri. Ata që kanë përfituar kryesisht kanë lidhje me njerëz të partive që tash janë në pushtet.