Hoti: Brenda ditësh apo javësh do të zgjidhet çështja e ndërtimit të rrugës Plavë-Deçan

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti tha të martën se ka diskutuar me autoritetet komunale të Deçanit për çështjen e ndërtimit të rrugës Deçan-Plavë dhe se brenda disa ditësh apo javësh do të gjendet një zgjidhje që ka pajtimin e gjitha palëve.

Vizita e Hotit në Komunën e Deçanit vjen disa ditë pasi ai dhe kryetari i kësaj komune, Bashkim Ramosaj, pas një takimi të zhvilluar në Prishtinë, thanë se janë pajtuar “që të pezullohen punimet në rrugën R108, e cila përshkon një pjesë të zonës së mbrojtur pranë Manastirit të Deçanit”.

Hoti tha se Kosova ka kulturë institucionale për të respektuar ligjet, derisa premtoi se do të gjendet një zgjidhje për çështjen e rrugës.

“Jemi këtu për të gjetur zgjidhje më të mirë për të promovuar interesat e qytetarëve të Deçanit për të avancuar standardin e jetës së qytetarëve të Deçanit, por në të njëjtën kohë për të treguar kujdesin e nevojshëm ndaj objekteve të trashëgimisë kulturore të Kosovë por edhe botërore, siç është Manastiri i Deçanit”, tha Hoti.

Kryeministri Hoti, më 16 gusht kishte kërkuar që të ndalen punimet në ndërtimin e rrugës në fjalë.

Reagimi i kryeministrit, erdhi një ditë pasi presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, bëri të ditur se Beogradi do të kërkojë “pezullim urgjent dhe të përhershëm të punimeve të ndërtimit në zonën e mbrojtur të Manastirit të Deçanit” nga përfaqësuesit e Prishtinës dhe ndërmjetësuesit evropianë në takimin e ardhshëm në Bruksel.

Igumeni i Manastirit të Deçanit, Sava Janjiq deklaroi për Radion Evropa e Lirë se ndërtimi i rrugës Deçan – Plavë është i ndaluar me ligjet e Kosovës dhe rikujtoi se zgjidhja e këtij problemi është gjetur më 2014, kur kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Hashim Thaçi – aktualisht president i Kosovës – vendosi që ta devijojë këtë rrugë, në mënyrë që të mos kalonte përmes zonës së mbrojtur.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës më 2016 kishte marrë vendim, sipas të cilit Manastirit të Deçanit i njihet e drejta e pronësisë për 24 hektarë tokë. Por, ky vendim nuk është zbatuar asnjëherë nga ana e kësaj komune.

Zyrtarë të institucioneve ndërkombëtare në Kosovë, në vazhdimësi kanë bërë thirrje që të respektohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese.

Në vitin 2008, Kuvendi i Kosovës miratoi Ligjin për zona të veçanta të Mbrojtura, i cili duhet të sigurojë mbrojtjen e manastireve ortodokse serbe, kishave, vendeve të tjera fetare, si dhe vendeve historike dhe kulturore të një rëndësie të veçantë për komunitetin serb si dhe për komunitetet tjera në Republikën e Kosovës. Manastiri i Deçanit është njëra nga zonat e mbrojtura, sipas këtij ligji.

Sipas ligjit, në këto zona janë të ndaluara aktivitetet të ndryshme, si: ndërtimet apo zhvillimet industriale, të tilla si eksplorimi dhe shfrytëzimi i burimeve minerale dhe ndërtimi i digave, centraleve elektrike apo linjave të tensionit, furrave dhe fabrikave dhe rrugëve transite në zonat rurale; dhe ndërtimet apo zhvillimet që çojnë në shpyllëzimin apo ndotjen e mjedisit.

Kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj tha pas takimit me kryeministrin Hoti se kjo çështje po shkon drejt zgjidhjes.

“Kishim edhe gjeneralin Risi (komandanti i misionit të NATO-s në Kosovë, Michele Risi.) në takim. Është përkushtim i ynë i përbashkët që të ndërtohet rruga, mirëpo që të zgjidhet kontesti në tërësi. Shpresoj që jemi në rrugë të mirë t’i zgjidhim gjitha problemet me të cilat Deçani përballet një kohë të gjatë”, tha mes tjerash Ramosaj.