VV-ja kritikon faljen që Thaçi i bëri dëshmitarit në rastin Dehari, kërkon nga Prokuroria zbardhjen e rastit

Lëvizja Vetëvendosje ka shfaqur shqetësimet e saja të vazhdueshme për mos zbardhjen e rastit Dehari.

Ish-ministrja e Drejtësisë nga radhët e kësaj partie Albulena Haxhiu ka thënë se po bëhen katër vjet pas vdekjes së aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje dhe deri më tash nuk është bërë asgjë për zbardhjen e këtij rasti.

“Dëshmitarët e rastit Astrit Dehari janë në arrati, dhe nuk është ndërmarrë asgjë. Prokuroria duhet të veprojë dhe të merret me të gjitha dyshimet”, ka thënë Haxhiu në një konferencë për media.

Ndërkohë që presidenti Hashim Thaçi ka falur një dëshmitar të rastit Dehari, Albulena Haxhiu ka bërë të ditur se Lëvizjes Vetëvendosje i është mohuar kërkesa për qasje në dosjen e faljes së dëshmitarit.


Ajo ka shprehur dyshimet për faljen e këtij dëshmitari, pasi sipas saj, ka raste të tjera të shumta që bëjnë kërkesa për falje.

Presidenti Thaçi më 27 korrik të këtij viti ka shpallur dekretin për faljen e shtatë të dënuarve, në mesin e të cilëve edhe Luz Ndue Allakaj, i dënuar për vrasje të dyfishtë, ku njëra prej vrasjeve ishte e një i mitur 13-vjeçar.