Eksperti i çështjeve ushtarake dhe të sigurisë, Ramadan Qehaja, ka vlerësuar se shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme në Kosovë, është e panevojshme.
Sipas tij, për nivelin aktual të rrezikut është e panevojshëm, shpallja e njw gjendje të tillë.
“Tradicionalisht gjendja e jashtëzakonshme shpallet kur ka rrezik fizikë për destabilizimin e situatës së sigurisë, nga faktorë të jashtëm dhe të brendshëm, por edhe në raste të fatkeqësive natyrore. Në rastin konkret rreziku vjen nga një epidemi e “padukshme” e cila e ka kapluar globin dhe nuk ka adresë mbi bazën e së cilës gjendja e jashtëzakonshme do t’i kundërvihej”, theksoi ai.
Qehaja tha se “Argumentet se duhet vendosur rendin publik nëpërmjet një mase ekstreme siç është gjendja e jashtëzakonshme nuk qëndrojnë për arsye se ato mund të bëhen në gjendje ekzistuese”.
“Lypset një mobilizim i policisë e cila sipas nevojës do të mund të mbështetej nga njësitet relevante të FSK-së. Konsideroj që Qeveria është duke menaxhuar situatën mjaft mirë dhe të gjithë duhet të japin kontributin në funksion të arritjes së qëllimit të përbashkët për minimizimin e pasojave nga kjo epidemi”, ka shkruar eksperti Ramandan Qehaja.