Sindikata e Infermierëve, Mamive dhe Profesionistëve të tjerë Shëndetësorë, me një protestë simbolike të hënën, do t’i kërkojë Qeverisë së Kosovës rritjen e pagesës së ndërrimeve të natës.
Këtë e ka bërë të ditur sekretari i kësaj Sindikate, Enlirat Duraku.
Duraku në një intervistë për Ekonomia Online tha se kërkesat e tyre nuk po merren parasysh nga ekzekutivi.
“Sindikata e Infermierëve dhe Mamive me kohë ka parashtruar kërkesën për rritjen e pagesës për ndërrimin e natës për infermierë, Mami e Profesionistë Shëndetësor dhe tek institucionet relevante. Kjo kërkesë ka mbetur e pashqyrtuar. Tani ne jemi detyruar që ta organizojmë një protestë simbolike paqësore sepse vendi ynë po kalon periudhën e pandemisë. Protesta do të fillojë në ora dhjetë dhe do të jetë protestë simbolike”
Ai shtoi se propozimet që po bëhen në emër të komunitetit, të infermierëve, mamive dhe profesionistëve të tjerë shëndetësor nuk paraqesin vullnet, sepse institucionet e vendit nuk janë konsultuar me ta.
“Sinqerisht propozimet që po bëhen në emër të komunitetit infermierë, mami dhe profesionistë shëndetësor nuk paraqesin vullnetin sepse nuk jemi të konsultuar, mirëpo nëse do të ishim të konsultuar secili do të jepte kontributin tij”
Shqetësimi më i madh sipas tij mbeten të infektuarit infermierë të cilët kanë mbetur pa mbështetje nga qeveria.
“Populli jonë njihet si popull human dhe është i mirëseardhur për komunitetin tonë. Shqetësimi im më i madh janë 300 të infektuarit infermierë që kanë mbetur pa mbështetje institucionale”.