Përhapja e koronavirusit në javën e fundit në Kosovë, ku nga e premtja janë konfirmuar 16 persona të infektuar me koronavirus, ka bërë që të kërkohet shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.
Por, çfarë është gjendja e jashtëzakonshme dhe kur mund të shpallet ajo nga presidenti i vendit?
Gjendja e jashtëzakonshme buron nga një deklarim i qeverisë, që bëhet në përgjigje të një situate të jashtëzakonshme, që paraqet rrezik thelbësor për vendin.
Deklarimi mund të pezullojë disa funksione normale të qeverisë, mund t’i paralajmërojë qytetarët që të ndryshojnë sjelljen e tyre normale ose mund t’i autorizojë agjencitë qeveritare që të zbatojnë plane të përgatitjeve emergjente, si dhe të kufizojnë ose pezullojnë liritë civile dhe të drejtat e njeriut.
Nevoja për të deklaruar gjendje të jashtëzakonshme mund të lindë nga situata nga më të ndryshmet prej veprimit të armatosur kundër shtetit nga elemente të brendshme ose të jashtme, një fatkeqësie natyrore, një trazirë civile, një epidemie, një krize financiare apo ekonomike ose një greve të përgjithshme.
Sipas Kushtetutës së Kosovës, nenit 131, pikës 1, presidenti i Kosovës shpall gjendje të jashtëzakonshme në këto raste: ka nevojë për masa emergjente të mbrojtjes, ka rrezik të brendshëm ndaj rendit kushtetues ose sigurisë publike dhe ka fatkeqësi natyrore, e cila prek tërë territorin e Republikës së Kosovës ose një pjesë të tij.
Ndërsa, pika 2 e nenit 131 të Kushtetutës së Kosovës, thotë se gjatë Gjendjes së Jashtëzakonshme, Kushtetuta e Republikës së Kosovës nuk suspendohet.
Kurse, Kufizimet mbi të drejtat dhe liritë e garantuara me këtë Kushtetutë, bëhen vetëm deri në shkallën e nevojshme, për sa më pak kohë që të jetë e nevojshme dhe në përputhje të plotë me këtë Kushtetutë. Gjatë Gjendjes së Jashtëzakonshme, ligji për zgjedhjet e Kuvendit dhe të Komunave nuk mund të ndryshohet. Parimet e tjera për veprimet e institucioneve publike gjatë Gjendjes së Jashtëzakonshme rregullohen me ligj, por ato nuk duhet të jenë në shpërputhje me këtë nen.
Pika 3 e nenit 131 të Kushtetues thotë se nëse paraqitet nevoja për marrjen e masave emergjente të mbrojtjes, Presidenti i Republikës së Kosovës, pas konsultimit me Kryeministrin, shpall Gjendjen e Jashtëzakonshme. Me shpalljen e Gjendjes së Jashtëzakonshme, Presidenti i Republikës së Kosovës shpallë menjëherë dekretin, i cili përcakton natyrën e kërcënimit dhe çfarëdo kufizimi për të drejtat dhe liritë.
Brenda dyzet e tetë (48) orësh, Kuvendi mund të japë pëlqimin me dy të tretat (2/3) e votave të deputetëve të pranishëm dhe që votojnë. Nëse nuk jepet pëlqimi, dekreti i Presidentit nuk ka forcë as efekt.