Kosova nga kjo e shtunë ka nisur të implementojë marrëveshjen për mbulimin e primit të sigurimit kufitar për bashkatdhetarët dhe të huajt që vijnë në Kosovë.
Por, këtë vikend, ishte i paktë numri i atyre që kanë ardhur në Kosovë.
Megjithatë, ata që hynë përmes Merdares thonë se u befasuan nga ky vendim, derisa presin që Kosova ta zgjidhë këtë problem përmes anëtarësimit në Kartonin e Gjelbër, raporton KOHA.
E këtë të shtunë u vërejtën kolona të gjata të mërgimtarëve që po ktheheshin nëpër vendet e tyre.
Ata, për më shumë se një orë, kanë pritur të për kaluar këtë pikë kufitare. Derisa vendimin e Qeverisë e cilësojnë si të drejtë.
Zëvendësguvernatori i BQK-së, Sokol Havolli, përmes një postimi në Facebook, ka bërë të ditur se është printuar polica e parë e sigurimit kufitar për diasporën me zero kosto, e subvencionuar nga Qeveria e Kosovës.
Byroja e Sigurimeve të Kosovës ka njoftuar se ky subvencionim nuk do të zbatohet për automjetet/motoçikletat e regjistruara në Republikën e Malit të Zi, Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe Republikën e Serbisë.
Kosova për momentin e ka të pamundur të anëtarësohet në Kartonin e Gjelbër, për shkak të numrit të madh të veturave të paregjistruara që qarkullojnë në Kosovë, si dhe mosanëtarësimit të saj në OKB.
Që nga paslufta, konsiderohet se mërgimtarët kanë paguar më shumë se 200 milionë euro për këtë policë.
Por, për shkak të pandemisë, të hyrat nga primi kufitar këtë vit kanë rënë dukshëm.
Derisa në korrik të vitit të kaluar të hyrat nga primi ishin rreth 2 milionë euro, këtë korrik ato kanë qenë vetëm rreth 200 mijë euro.