Kryetari i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri është kërcënuar gjatë të hënës nga dy persona të ndryshëm, nëpërmes mesazheve në rrjete sociale.
Ai e ka bërë të ditur vetë lajmin, duke thënë se këto raste i ka paraqitur në Policinë e Kosovës.
Kryetari i Vushtrrisë përmes një postimi në Facebook ka thënë se njëri nga kërcënuesit ka qenë në komunikim me PDK-në në Vushtrri, ku ka bërë thirrje për të gjitha subjektet politike e veçanërisht për PDK-në në këtë komunë ë të ruaj kulturën politike tolerante e të mos nxis urrejtje.
“Pasi që rasti u bë publik sot, e konsiderova të rëndësishme të bëjë këtë njoftim. Siç i kam thënë edhe Policisë së Kosovës, njëri nga kërcënuesit ka qenë në komunikim me strukturat drejtuese të PDK-së në Vushtrri. I bëjë thirrje subjekteve politike në Vushtrri, sidomos PDK-së të ruajnë kulturën politike tolerante dhe të mos nxisin urrejtje mbi baza politike”, shkruan Tahiri.
Ndër të tjera, ai ka postuar edhe mesazhet kërcënuese që i ka pranuar duke thënë se nuk ka kërkuar mbrojtje dhe se kërcënimet e tilla nuk do ta ndalin punën e tij.
“Nuk kam kërkuar dhe as nuk kërkojë mbrojtje sepse konsiderojë që angazhimi ynë është në interesin e qytetit dhe të qytetarëve të Vushtrrisë dhe asnjë kërcënim nuk do të na ndalë”, shkruan Tahiri.