Lul Raka: Jemi në dritën e kuqe të pandemisë – më keq s’kemi qenë


Mikrobiologu Lul Raka ka thënë se me rritjen e numrit të të infektuarve me Covid-19, Kosova është në dritën e kuqe të pandemisë dhe se më keq nuk ka qenë deri më tani.

Në Edicionin Special në Klan Kosova, ai ka thënë se gjatë dy javëve të fundit, është vërejtur dyfishim i ngarkesës së kapaciteteve spitalore.

“Këto shifra tregojnë se sot është një prej ditëve më të rënda me 16 vdekje dhe më shumë vdekje tjera gjatë ditëve të kaluara. Kjo është shqetësim i jashtëzakonshëm për të gjithë qytetarët e Kosovës”.

“Prej fillimit të korrikut ne kemi rritje masive të numrit të rasteve dhe sigurisht se kjo e rritë edhe përqindjen e pacientëve që kërkojnë hospitalizim. Dy javët e fundit kemi 2-3 fishim të kapaciteteve spitalore”.

“Prej lirimit të masave, kanë qenë dy faktorë që e kanë përkeqësuar gjendjen. (1) mosrespektimi i masave parandaluese: distancë, maskë higjienë. (2) mbikëqyrja e pamjaftueshme e shtetit. Si rezultat i këtyre faktorëve, është rritur numri i rasteve me Covid-19”.

Mikrobiologu Raka ka thënë se prioriteti kryesor është menaxhimi kritik i pacientëve të shtrirë nëpër spitale të Kosovës.

“Me këto shifra dhe me këtë trend ne jemi në alarm dhe në dritën e  kuqe të pandemisë – më keq nuk kemi qenë. Kjo kërkon vetëdijesim nga të gjithë”.

“S’kemi kohë ta fajësojmë njëri-tjetrin. Me këto shifra në kohën kur 16 familje që i kanë humbur më të dashurit e tyre, ky alarm kumbon për të gjithë që secili ta kryejë punën e vet”.

Lul Raka ka thënë se izolimi total nuk është zgjidhje për ta parandaluar përhapjen e pandemisë në vend.

“Izolimi total nuk është zgjidhje. Nëse s’ka kontroll rigoroz nga shteti, pas çdo lirimi do t’i kemi të njëjtit numra. Prandaj këtu nevojitet një lloj balancimi.

“Disa prej këshillave: Urgjentisht të miratohet ligji antiCOVID dhe lajmi i mirë është se është proceduar në lexim të parë në parlament”.