Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, pas miratimit të rishikimit të buxhetit, ka falënderuar deputetët e koalicionit qeverisës dhe të opozitës.
Ai ka thënë se deputetët me votën e tyre sot ia dhanë dritën e gjelbër Qeverisë së Kosovës për aplikimin e masave për rimëkëmbje ekonomike, ku sipas tij, përfitues do të jenë qytetarët dhe bizneset.
“Urime të gjithëve për miratimin e rishikimit te buxhetit. Falënderoj deputetët e koalicionit qeverisës dhe të opozitës, që me votën e tyre sot ia dhanë dritën e gjelbër Qeverisë së Kosovës për aplikimin e masave për rimëkëmbje ekonomike, ku përfitues do të jenë qytetarët dhe bizneset. Sa më parë do të nisim zbatimin e masave për rimëkëmbje ekonomike, duke garantuar transparencë të plotë dhe koordinim me të gjithë akterët e tjerë, komunat, odat ekomomike, partnerët zhvillimorë etj”, ka shkruar ai.
Me 72 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi i Kosovës në seancën e jashtëzakonshme në lexim të dytë ka miratuar Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2020.