Mosinformimi se çfarë ndodhi në takimin në Bruksel mes Hotit e Vuçiqit si dhe emërimi i Skënder Hysenit koordinator shtetëror për dialog si duket ka hidhëruar pak partnerët e koalicionit qeverisës.
Njëzëri, Ramsh Haradinaj e Fatmir Limaj ditë më parë u deklaruan se nuk janë informuar se çfarë ka ndodhur në takimin e kryeministrit Avdullah Hoti dhe presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiq në Bruksel. Po ashtu ata nuk u informuan as për emërimi e Hysenit koordinator. Madje kreu i AAK-së tha se kryeministrit nuk e ka përkrahjen e tij për vazhdimin e dialogut.
Por, vet kryeministri Hoti tha se ka koordinim mes partnerëve të koalicionit sa i përket dialogut me Serbinë.
“Kosova ka një Kryeministër që po i ushtron autorizimet kushtetuese pa lejuar asnjë ndërhyrje në ato autorizime, por duke e koordinuar agjendën e shtetërore të Kosovës me bartësit e institucioneve, me partnerët e koalicionit dhe me opozitën, si dhe duke e mbajtur plotësisht të informuar publikun e gjerë”, ka thënë Hoti.
Por, a mund të çojnë drejtë prishjes së koalicionit këto mosmarrëveshje?
Analisti politik, Rasim Alijaj nuk beson që këto mosmarrëveshje do të çojnë drejt prishjes së koalicionit, pasi siç thotë ai, vet Haradinajt e Limajt u konvenon që të mbesin edhe më tutje në Qeveri.
Sipas tij, nuk varet kjo jetëgjatësia e kësaj qeverisje vetëm në mospajtimet momentale të Haradinajt e Limajt.
“Nuk besoj që këto mosmarrëveshje munden me qu drejt prishjes së koalicionit sepse edhe Z. Haradinajt edhe Z.Limajt ju konvenon që të mbesin dhe më tutje pjesë e Qeverisë. Sidomos duke ditur në çfarë mënyre kanë ardhë në Qeveri. Mirëpo përtej kësaj janë të rëndësishme dy qasje. E para se nëse është kritikuar Z.Hoti se është pa peshë politike që do ta ketë problem menaxhimin e dialogut. Kur Z.Hoti u pa që e ka një lloj sigurie ose lirie të veprimit edhe karshi LDK-së në këtë rast kreut të LDK-së Z. Mustafa, tash kemi një qasje tjetër që i diktohet Hotit se kë të zgjedh si pjesë të ekipit të tij dhe mënyrën e dialogut që e bënë atje. Haradinaj e Limaj kanë menduar që votat e tyre për krijimin e qeverisë nënkuptojnë edhe një lloj patronazhi mbi të se kënd po e merr si pjesë të ekipit dhe çfarë diskutohet atje, atëherë e kanë pasur gabim dhe kjo mund të prodhoj edhe telashe tjera, mirëpo për momentin nuk besoj që do të reflektojnë në prishje të koalicionit. Duhet të ndodh diçka shumë e madhe që të prishet koalicioni edhe jo në këto rrethana të paktën deri nga fundi i muajit shtator ku me gjasë do ta kemi një zgjerim te koalicionit dhe me gjasë pjesë e qeverisë do të mund të bëhet potencialisht edhe Partia Demokratike e Kosovës. Por nuk varet kjo jetëgjatësia e kësaj qeverisje vetëm në mospajtimet momentale të Haradinajt e Limajt”, ka thënë Alija.
Ai po ashtu ka thënë se Hoti e ka të drejtën ekskluzive që ekipin dhe mënyrën e qasjes në dialog ta diktojë vet, në koordinim edhe me partnerët e koalicionit duke mos dal nga vija e tyre programore.
Sipas tij, nuk duhet të ndërlidhen emra të përveçëm me prishje të koalicionit sepse kjo do të ishte qasje jo serioze
“Mirëpo, ajo çka është e rëndësishme është edhe një herë kjo qasja për shkak të dhënies së votave nga Aleanca dhe Nisma të kushtëzohet tani Hoti dhe të ketë një patronazh politik të Haradinajt e Limajt mbi Hoti, madje duke mos qenë fare pjese e asnjë institucioni, përpos Limajt që është deputet i Kuvendit. E ka të drejtën legjitime kryeministri Hoti që ekipin dhe mënyrën e qasjes së dialogut ta diktoj vet Hoti, absolutisht në koordinim edhe me partnerët e koalicionit duke mos dal nga vija e tyre programore. Është një gabim në kalkulim që e bënë Haradinaj që e ndërlidh përkrahjen tij për këtë qeveri me pjesën tjetër. Është e drejt ekskluzive e kryeministrit sepse mandatit i tij është i tillë është votuar me 61 vota. Nuk duhet të ndërlidhen emra të përveçëm me prishje të koalicionit sepse kjo do të ishte qasje jo serioze dhe një rikthim në atë që të gjithë e dim ose që e kanë deshmu partitë që kanë qenë në pushtet se shumë më shumë lidhen proceset me emrat e përveçëm sesa më përmbajtjen e vetë procesit”, ka thënë Alija.
Ndryshe, pas 20 muajsh të ndërprerjes së dialogut, më 16 korrik ky proces rifilloi me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Në Bruksel, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti u takua me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq. /Lajmi.net/