Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, thotë se me vëmendje të plotë është duke përcjellë situatën e krijuar, pas rasteve të konfirmuara me koronavirus në Kosovë.
Ai në një postimi në Facebook, ka apeluar tek qytetarët që të mbajnë qetësinë por dhe të kufizojnë lëvizjet, në mënyrë që të përballojnë edhe këtë sfidë.
“Ju bëj thirrje që të rrini të qetë, të kujdeseni për veten dhe familjet tuaja, të kufizoni lëvizjet, të mos dilni nga shtëpitë pa nevojë dhe të qëndroni sa më shumë brenda”, ka thënë Thaçi.
Postimi i plotë i presidentit Thaçit:
“Të dashur qytetarë,
Jam duke i përcjellë me shumë vëmendje dhe me shumë kujdes zhvillimet rreth virusit COVID-19, përhapjen e tij në Kosovë, rrezikun që paraqet dhe reagimin e shtetit dhe shoqërisë sonë.
Sot na nevojitet kujdes, vigjilencë, solidaritet, durim, urti, besim. Këto vlera e parime i kemi kalitur në sfidat që i kemi kaluar.
Prandaj, ju bëj thirrje që të rrini të qetë, të kujdeseni për veten dhe familjet tuaja, të kufizoni lëvizjet, të mos dilni nga shtëpitë pa nevojë dhe të qëndroni sa më shumë brenda.
Jini të sigurt që institucionet e shtetit janë duke e përcjellë çdo zhvillim dhe janë të gatshme të veprojnë në çdo rrethanë për t’iu dalë juve në ndihmë.
Nuk ka nevojë për panik dhe frikë. Kemi përvojë me situata të rënda dhe institucionet tona janë të përgatitura të përballen me çdo situatë.
Të bashkuar do ta përballojmë me sukses edhe këtë sfidë dhe si gjithmonë do të dalim edhe më të fortë dhe do të vazhdojmë të punojmë së bashku, që ta bëjmë Kosovën shtëpi edhe më të dashur për ju të gjithë”, ka shkruar Thaçi.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka njoftuar sot se janë konfirmuar edhe dy raste të reja me koronavirus, duke quar në 15 numrin gjithsejtë të personave të prekur nga ky virus në vend.
Në Kosovë, rastet e para me koronavirusin e ri u shënuan më 13 mars. Qeveria e Kosovës, pas rritjes së numrit të të infektuarve, më 15 mars vendosi që të shpallë gjendje të emergjencës publike.