Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar, ka njoftuar se ka pezulluar punën në ambulanca specialistike dhe ka pezulluar operacionet dhe procedurat e tjera jo urgjente.
Ky vendim, sipas këtij institucioni, vjen pas rekomandimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë publike, me qëllim të mbrojtjes nga koronavirusi i ri.
“Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar njofton të gjithë qytetarët se, bazuar në Qarkoren Informative të lëshuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe në rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, për t’u mbrojtur nga Covid-19, ka pezulluar, deri në një vendim tjetër, punën në ambulanca specialistike dhe ka ndërprerë programin elektiv (jo urgjent) të operacioneve dhe procedurave tjera terapeutike dhe diagnostike. Do të trajtohen vetëm rastet emergjente. Ky vendim vlen deri në një vendim tjetër”, ka njoftuar QKUK.
Në Kosovë deri më tani janë konfirmuar nëntë raste me koronavirusin e ri.