Drejtori i Ambulantes së Aeroportit ankohet për mungesë të materialit mbrojtës

Përderisa sigurimi i materialeve mbrojtëse nga koronavirusi është bërë problem në disa komuna, për të njëjtën gjë është ankuar edhe drejtori i Ambulantes së Aeroportit “Adem Jashari”, Bashkim Gllareva.

Në një koment, ai ka thënë se sot së paku 50 punëtorë kanë kërkuar maska dhe doreza, por se të njëjtat nuk janë siguruar.

Gllareva ka reaguar në një postim të menaxherit të planifikimit të fluturimeve, Driton Hyseni, i cili ka thënë se ka kërkuar nga kompanitë ajrore që për aq sa është e lejuar, të organizojnë kthimin e udhëtarëve në destinacionet e tyre.

“Sot së paku 50 punëtorë kanë kërkuar maska dhe doreza. Nëse njëri nga këta udhëtarë mund të jetë bartës i virusit, kush do të përgjigjet pastaj. Kompanitë fillimisht po i rrezikojnë punëtorët e pastaj edhe pasagjerët”, ka shkruar ndër të tjera Gllareva.

KOHA ka provuar të marrë një përgjigje nga Gllareva, por i njëjti ka hezituar të përgjigjet.

Deklaratat se nuk ka material, janë demantuar nga zëdhënësja e aeroportit “Adem Jashari”, Valentina Gara.

Në një përgjigje për Kohën, ajo ka thënë se ka material të mjaftueshëm mbrojtës, dhe se i njëjti është shpërndarë te të gjithë punonjësit.

“ANP ‘Adem Jashari’ fillimisht ka dezinfektuar të gjitha hapësirat dhe automjetet. Si masë preventive kemi vënë në dispozicion edhe dezinfektues duarsh në secilin departament dhe kemi shpërndarë të gjithë posterët anë e kënd për higjienën personale. Po ashtu kemi bërë furnizime me maska dhe doreza për të gjithë punonjësit”, ka thënë ajo.