Këshilltari politik i presidentit Hashim Thaçi, Adil Behramaj, ka reaguar ashpër pas hedhjes në votim të rezolutës për dialog me Serbinë në orën 02:00 të natës. Ai ka thënë se popullin e kanë panikuar dhe karantinuar, kurse vetë në 02:00 të natës kanë festuar, pasi që përmes deriçkës së Serbisë, siç e quanin dikur, tash po mendojnë se e çajnë izolimin e tyre.
Këshilltari i Thaçit ka thënë se ajo rezolutë dihet se ku do të përfundojë. Dhe, sipas tij, së shpejti do të përfundojë edhe kjo legjislaturë e territ dhe tmerrit, që po mundohet ta tjetërsojë rendin kushtetues dhe errësojë të ardhmen e Kosovës. Ai ka thënë se as pandemia dhe as Serbia nuk i shpëtojnë dot, por natën kanë ardhur dhe natën do të shkojnë.
“Kjo është legjislaturë i territ, që natën ka zbarkuar në Kuvend dhe natën merr vendime. Në një situatë që vetë e quajnë të pazakonshme për shkak të pandemisë COVID 19, mendojnë zakonshëm për Serbinë dhe hedhin tinëzisht rezoluta dialogu për votim në 02:00 të natës. Popullin e kanë panikuar dhe karantinuar. Kurse, vetë në 02:00 të natës kanë festuar, pasi që përmes deriçkës së Serbisë, siç e quanin dikur, tash po mendojnë se e çajnë izolimin e tyre. Por, as pandemia dhe as Serbia nuk i shpëtojnë dot.
Natën kanë ardhur dhe natën do të shkojnë. Ajo rezolutë dihet se ku do të përfundojë. Dhe, së shpejti do të përfundojë edhe kjo legjislaturë e territ dhe tmerrit, që po mundohet ta tjetërsojë rendin kushtetues dhe errësojë të ardhmen e Kosovës. Përndryshe, Albin Kurti mund të udhëheq dialog vetëm nëse bëhet president. Sepse, së pari, Kushtetuta kështu nuk ia lejon. Së dyti, fillimisht duhet të mësohet të negociojë, sepse historia e shtetit tonë të ri nuk njeh një negociator më të dobët se ai.
Parimet që për 20 vjet i kishte promovuar, ai për 20 ditë i shkeli. Gati pesë muaj nuk ishte i aftë të ndërtonte as partneritet për koalicion qeverisës. Por, i priti ditët e fundit të afatit kushtetues për t’u dorëzuar i tëri. Madje, duke e kurbanizuar edhe njeriun kryesor të tij.
Të gjitha kërkesat e LDK-së që i kishte hedhur në koshin e plehrave, i kapërdiu në tërësi. Dhe, në fund, nga frika se paaftësia për të negociuar si dobësi mund t’i shndërrohej në përulësi publike, pjesën e marrëveshjes për president ishte lutur si fëmijë që ta fshihnin, për ta fshehur kështu përkohësisht edhe dobësinë e tij. Pra, nga dikush që nuk kishte guxim ta bënte as një marrëveshje politike për t’u bërë vetë kryeministër, nuk mund të pritet të tregojë guxim për t’u bërë pjesë e një marrëveshjeje historike.
Ai, në tërë jetën e tij, mezi ka gjetur guxim që ta nënshkruajë vetëm një marrëveshje politike, marrëveshjen me LDK-në!”, ka shkruar Behramaj.