Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) vlerëson organizimin e takimit të parë të partnerëve socialë nga Ministria e Punës, e udhëhequr nga ministri Andi Hoti, ku morën pjesë përfaqësues të punëdhënësve dhe punëmarrësve, përfshirë Aleancën Kosovare të Bizneseve (AKB), Odën Ekonomike të Kosovës (OEK), BSPK-në dhe sindikatat sektoriale.
Në këtë takim u diskutuan çështje të rëndësishme për ekonominë e Kosovës, tregun e punës dhe marrëdhëniet ndërmjet punëdhënësve dhe punëmarrësve.
Kryetari i AKB-së, Dr Agim Shahini, në fjalën e tij hyrëse, përshëndeti ftesën e Ministrisë për rikthimin e dialogut social, por theksoi se ky dialog është vonuar për rreth 3–4 vjet.
Është mirë që Qeveria dhe Ministria e Punës i kanë ftuar partnerët socialë për të diskutuar çështjet me rëndësi për vendin, por është e papranueshme që dialogu ndërmjet partnerëve socialë të ketë munguar për kaq gjatë. Kosova ka nevojë për komunikim të vazhdueshëm, bashkëpunim institucional dhe vendime që marrin parasysh interesat e punëdhënësve dhe punëmarrësve, theksoi Shahini.
Ai veçoi si çështje me rëndësi pagën minimale, kushtet e punës së punëtorëve, marrëveshjen kolektive dhe, mbi të gjitha, funksionalizimin e Këshillit Ekonomik-Social (KES), i cili nuk po funksionon që nga viti 2022.
Sipas Shahinit, mosfunksionimi i KES-it nuk duhet t’u atribuohet automatikisht partnerëve socialë, por duhet të trajtohet përmes një shqyrtimi serioz të procedurave dhe pengesave institucionale që kanë zvarritur funksionalizimin e tij.
I nderuar ministër, AKB-ja është e gatshme të japë kontributin e saj profesional dhe institucional, ashtu siç ka bërë që nga fillimi i funksionalizimit të Këshillit Ekonomik-Social. Ne besojmë se problemet e tregut të punës nuk zgjidhen me përplasje, por me dialog, përgjegjësi dhe marrëveshje konkrete ndërmjet partnerëve socialë, u shpreh Shahini.
Ai theksoi se përvoja e AKB-së në përfaqësimin e bizneseve dhe pjesëmarrja e saj në Këshillin Ekonomik dhe Social Evropian (EESC) në Bruksel përbëjnë një mundësi shtesë për të sjellë përvoja dhe praktika evropiane në Kosovë.
AKB-ja kërkon që ky takim të mos mbetet vetëm një takim formal, por të shërbejë si pikënisje për dialog të rregullt, vendime konkrete dhe funksionalizimin e plotë të Këshillit Ekonomik-Social.
Kosovës i duhet një partneritet social funksional, ku mbrohen të drejtat e punëtorëve, krijohen kushte të qëndrueshme për bizneset dhe ndërtohet një ekonomi më konkurruese, me më shumë vende pune dhe mirëqenie për qytetarët.
