Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi, ka bërë thirrje për zgjedhje të reja brenda partisë, duke kërkuar një proces demokratik dhe gjithëpërfshirës, pas tri palë zgjedhjeve brenda 18 muajve.
Në një postim publik, Gashi ka vlerësuar se LDK-ja duhet të reflektojë për gjendjen e saj dhe të hapë rrugë për ndryshime, në mënyrë që të rikthejë besimin dhe të përgatitet për të ardhmen.
“Unë besoj në një fillim të ri: demokratik, gjithëpërfshirës dhe bashkues”, ka shkruar Gashi, duke kërkuar që secili anëtar të ketë të drejtë të kandidojë apo të rikandidojë, ndërsa vendimi për drejtimin e partisë t’u takojë anëtarëve përmes votës së lirë.
Ai ka theksuar se rezultatet e reja nuk mund të arrihen duke vazhduar me të njëjtën qasje, ndërsa ka paralajmëruar se përplasjet e brendshme vetëm e dobësojnë partinë.
Gashi ka kërkuar që anëtarët e LDK-së të ulen në dialog dhe të dakordohen për organizimin e zgjedhjeve të reja partiake, në një kohë të përshtatshme dhe me rregulla të barabarta për të gjithë.
Sipas tij, lidershipi nënkupton guximin për të marrë vendime të vështira dhe për të krijuar hapësirë për të gjithë, e jo vetëm për ata që kanë qëndrime të njëjta.
“LDK-ja është më e madhe se secili prej nesh. Përgjegjësia jonë është ta bëjmë më të fortë, ta rikthejmë besimin dhe ta përgatisim për të ardhmen”, ka shkruar deputeti.
Në fund, Gashi ka ritheksuar nevojën për një fillim të ri, duke thënë se qëllimi nuk duhet të jetë ndarja e partisë, por bashkimi i saj dhe ndërtimi i një të ardhmeje më të fortë.