Kurti takon kancelarin Merz në Samitin e Procesit të Berlinit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një takim me kancelarin gjerman, Friedrich Merz, në margjinat e Samitit XIII të Procesit të Berlinit, që po mbahet në Mal të Zi.

Sipas njoftimit të Kurtit, kancelari Merz e ka uruar atë për mandatin e ri, ndërsa në bisedë është diskutuar edhe për bashkëpunimin ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë.

Kurti ka theksuar rëndësinë e Procesit të Berlinit për bashkëpunimin rajonal, duke rikujtuar se që nga lansimi i kësaj nisme më 2014, gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor kanë pasur një platformë të përbashkët për avancimin e marrëdhënieve dhe integrimit evropian.

Ai ka përmendur marrëveshjet për udhëtimin me letërnjoftime dhe njohjen e diplomave, për të cilat tha se Kosova i ka zbatuar, duke bërë thirrje që edhe vendet e tjera të përmbushin obligimet e tyre.

“ Të gjithë duhet të bëjnë të njëjtën gjë, sepse askush nuk mund ta mbajë peng rajonin”, ka shkruar Kurti.

Duke folur për bashkëpunimin ekonomik, kryeministri ka bërë të ditur se investimet e drejtpërdrejta gjermane në Kosovë arrijnë në rreth 1.5 miliardë euro, ndërsa 62 për qind e tyre janë realizuar gjatë pesë viteve të fundit.

Sipas tij, potenciali për rritjen e bashkëpunimit mbetet i madh në industri, energji, transport, teknologji të informacionit dhe komunikimit, si dhe në arsim profesional.

Kurti ka njoftuar gjithashtu se Prishtina do të mirëpresë javën e ardhshme Forumin e tretë Ekonomik Gjermano-Kosovar.

Ai e ka cilësuar Gjermaninë si pjesë të rëndësishme të së ardhmes evropiane të Kosovës, ndërsa takimi zhvillohet në një kohë kur Bundestagu gjerman ka vendosur që ushtarët gjermanë të vazhdojnë të qëndrojnë në Kosovë në kuadër të misionit të KFOR-it.