Werder Bremeni tashmë është duke u përgatitur për largimin potencial të Milot Rashicës këtë verë. Klubi gjerman e zyrtarizoi të martën transferimin e gjermanit 19-vjeçar nga Mainz 05, Oscar Schonfelder, të cilin mediumet gjermane e shohin si zëvendësues për kosovarin.
Milot Rashica pritet të largohet nga Werder Bremeni këtë verë, përderisa Napoli dhe Leipzigu përfliten si dy klubet që kanë shprehur më së shumti interesim për blerjen e kosovarit, transmeton Gazeta Express.
Gjithashtu, Rashicën raportohet se e duan edhe Milani e Lazio në Itali, Borussia Dortmundi e Hertha Berlini në Gjermani dhe Liverpooli, Aston Villa e Wolverhamptoni në Angli.
Këto spekulime të vazhdueshme për të ardhmen e kosovarit e kanë shtyrë Bremenin ta transferojë talentin e ri Schonfelder, për të cilin shpresojnë se në të ardhmen do ta marrë rolin e Rashicës në skaudër, shkruan gazeta gjermane Deichstube.
Schonfelder luan pikërisht në pozitën e preferuar nga Rashica, në krahun e majtë të sulmit. Megjithatë, drejtori sportiv i klubit, Frank Baumann, bëri të ditur se klubi nuk ka vendosur ende nëse ai do të luajë menjëherë për ekipin e parë, apo do ta nisë me ekipin e të rinjve për t’u zhvilluar edhe më tutje.
19-vjeçari luajti në 17 ndeshje për Mainzin në sezonin e anuluar të Bundesligës U-19 dhe kontribuoi dhe pesë gola dhe katër asiste.