Rrjeti elektronik i pagesave Paysera ka njoftuar se po zgjerohet duke u shtrirë edhe në Kosovë.
Sipas tyre shtrirja e këtij rrjeti do të lejojë uljen e çmimeve të transfereve pa tarifë kreditimi.
“Banka Qendrore e Kosovës tashmë i ka dhënë Paysera Kosovës licencën e parë të Institucionit të Parave Elektronike (EMI) në këtë vend. Paysera ka filluar operimin në Baltik 16 vjet më parë, ku shkalla e transfereve në këtë rajon ka qenë e përafërt me atë që është në Kosovë sot, por konkurrenca ka çuar drejt transfereve më të lira vendase dhe ndërkombëtare, duke mos lënë tarifa për kreditimin e transfereve”, thuhet në njoftim.
“Licencimi nga Banka Qendrore për rrjetin ndërkombëtar të pagesave nënkupton transfere të lira dhe të sigurta, ku Paysera po sjell normat evropiane në Kosovë. Banorët rezidentë dhe bizneset në Kosovë tani paguajnë 25 Euro për një transfero monetar në vendet e BE-së, por kjo tash do të ndryshojë. Qytetarëve nuk do t’u kushtojë dërgimi i parave brenda vendit as në vendet e BE-së me përdorimin e aplikacionit Paysera në internet, kurse për bizneset tarifa nuk do ta kalojë as një euro”.
Nga njoftimi, thuhet se të gjitha pagesat mund të bëhen përmes aplikacioneve nga telefonat e mençur.
“Paysera do t’i ofrojë tregut kosovar kartela pagese, transfere të lira ose falas përmes aplikacionit, pagesa përmes internetit dhe porta të pagesave për biznese, sikurse edhe pagesa përmes telefonit përmes Google Pay apo Samsung Pay dhe në të ardhmen do të bëhet edhe përmes Apple Pay. Banorët rezidentë të Kosovës tashmë mund ta shkarkojnë aplikacionin në telefonat mobilë në Google Play dhe në App Store, por që nuk do të mund ta përdorin në plotni nga institucioni i parave elektronike deri në fund të 2020-ës”.