Kryetari i Sindikatës së Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (SBASHK), Rrahman Jasharaj, e ka quajtur lajm të keq vendimin e Gjykatës Kushtetuese ku e ka shpallur të pavlefshëm Ligjin për Pagat në sektorin publik.
Jasharaj në një deklaratë të dhënë për Telegrafin ka thënë se nesër do të kenë një takim me përfaqësuesit e sindikatave tjera, për të vendosur se çfarë do të bëjnë më tutje.
“Nesër do të takohemi me përfaqësuesit e sindikatave, ne kemi pritur që të hiqet pezullimi dhe të fillojë implementimi i këtij ligj dhe jo të shpallet i pavlefshëm. Kam frikë se edhe viti i ri shkollor do të sjell probleme, sepse mësimdhënësit kanë pritur që ky ligj të hyjë në fuqi. Është lajm i keq se Ligji për Pagat është shpallur i pavlefshëm”, deklaroi ai.
Ndryshe, sot gjatë ditës Gjykata Kushtetuese ka njoftuar se e ka shpallur të pavlefshëm Ligjin për Pagat në sektorin publik, duke e pranuar kërkesën e Avokatit të Popullit pas ankesave të disa sindikatave.
Pas dy pezullimeve, Gjykata ka vendosur që ky ligj në tërësi nuk është në përputhshmëri me disa nene të Kushtetutës së Kosovës.
Gjykata ka thënë se ka ardhur në përfundim se ligji i kontestuar nuk kishte harmonizuar pagat në nivel të të gjithë sektorëve. Aty ka theksuar se ka pasur përjashtime arbitrare dhe të paarsyetuara për disa institucione, përfshirë: Forcën e Sigurisë së Kosovës, Agjencinë Kosovare të Inteligjencës, Agjencinë Kosovare të Privatizimit, Bankën Qendrore të Kosovës, dhe vet Kuvendin.
“Gjykata arriti në përfundimin se, përjashtimet e akorduara me Ligjin e kontestuar kundërshtojnë haptazi vet qëllimin e ‘harmonizimit’ gjithëpërfshirës për të cilin thuhet të jetë nxjerrë. Rrjedhimisht, përjashtimet e bëra u konsideruan se shkojnë kundër vet qëllimit të Ligjit dhe krijojnë diferencime të paarsyetuara, të padëshmuara dhe arbitrare”, thuhet në arsyetim të Gjykatës Kushtetuese.