Numri i personave të infektuar dhe atyre të hospitalizuar me Covid-19 në Kosovë është duke i kaluar edhe parashikimet e institucioneve vendore që janë duke e monitoruar situatën. Vetëm dje,në vend janë testuar pozitiv 122 persona nga 231 teste gjithësejtë. Numri total i të infektuarve në Kosovë ka arritur në 2 mijë e 799 raste. Por, këtyre shifrave po iu paraprin moskujdesi i qytetarëve ndaj masave të vëna për mbrojtje ndaj Covid-19.
E për këtë Qeveria është duke e shqyrtuar mundësinë e karantinimit për disa zona të cilat janë bërë vatër e infeksionit. Nga Ministria e Shëndetësisë, kanë dhënë detaje për Gazetën Express lidhur me këtë çështje.
Mga MSH po deklarojnë se deri më tani nuk ka asnjë vendim për karantinim të asnjë zone apo komune. Por, theksojnë se zonat ku ka vatra të infeksionit janë potencialisht candidate për karantinim.
“Nuk ka asnjë vendim për karantinim në asnjë zonë-komunë. Nëse do të vinte tek një vendim i tillë, publiku do të njoftohej përmes Qeverisë-MSH. Zonat ku ka më shumë vatra infeksioni dhe më shumë raste aktive do të ishin potencialisht më kandidate, por, po e perserisim deri tash nuk ka ndonjë vendim për një masë të tillë”, kanë deklaruar zyrtarë nga Ministria e Shëndetësisë për Express.
E sipas MSH’së, Kosova ka teste të mjaftueshme për Covid=19.
“Kosova ka mjaftueshëm teste në këtë fazë për vazhdimin normal të procedurave të testimit me RT-PCR. Furnizimet e deritanishme jane bërë kryeisht nga prodhues të SHBA, Britanisë se Madhe e Gjermanisë”, sqarojnë nga MSH
E gjatë javës së kaluar vendi është furnizuar me 6500 teste të reja.
“Javën që shkoi janë marrë donacion edhe 6500 teste të tjera (RT-PCR) krahas atyre që janë në stok, në proces janë edhe donacione të tjera në numra më të mëdhenj nga shtete perendimore në kuader të asistences që i kanë bërë Kosovës për përgjigje në Covid-19”, deklarojnë nga Ministria e Shëndetësisë.
Ndryshe, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka regjistruar të hënën 122 raste të reja me koronavirus. Aktualisht është thënë se në Kosovë janë edhe 1,244 raste tjera aktive me këtë virus.
Prej 13 marsit, kur janë regjistruar rastet e para, autoritetet e Kosovës kanë regjistruar 2,799 persona të infektuar me koronavirus. Prej tyre 49 pacientë kanë vdekur. /GazetaExpress/