Oda Ekonomike e Kosovës (OEK), Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK), ajo e Afarizmit, Klubi i Prodhuesve dhe Shoqata e Kontabilistëve dhe Auditorëve, përmes një konference për media, kanë prezantuar kërkesat e komunitetit të biznesit karshi masave të marra nga qeveria për përballje me koronavirusin.
Berat Rukiqi, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, ka thënë se pika kryesore është që të mos ndalet prodhimi, teksa u ka bërë apel punëtorëve të veprimtarive që s’janë të ndaluara me vendim të qeverisë, të dalin në vendet e tyre të punës, duke qenë të vëmendshëm me masat parandaluese.
“Pritet që kjo situatë, pavarësisht sa zgjatë, do të ketë pasojat e veta në sektorin privat. Kemi pas takim dje me një pjesë të qeverisë. Por ajo që sot u mblodhëm ishte nevoja që të vetëdijesohen kompanitë dhe punëtorët sa i përket obligimeve që kanë pas vendimeve të Qeverisë. Po i referohem pjesës ku Qeveria ju rekomandon kompanive që punët që munden të kryhen nga shtëpia të organizohen si të tilla. Por çka ka ndodh dje? Ka qenë diçka e jashtëzakonshme. Ka pas refuzime masive të punëtorëve që të dalin në punë, duke iu referuar këtyre vendimeve. Aq më keq edhe komunat e kanë keqlexuar këtë pikë. Kanë mbyll pikat pa nevojë. Është rasti i disa kompanive prodhuese ku inspektorët kanë shkuar. Ne iu bëjmë thirrje edhe kompanive që të marrin masat. Kjo pikë e vendimit ka shkaktuar jashtëzakonisht konfuzion. I tërë ky konfuzion dhe ajo ndërprerja e punëve ndikon edhe komplet zinxhirin e furnizimit. Janë shumë shpërblime jetike, përfshirë internetin edhe telefoninë, duhet të kuptojmë që kujdesi është i nevojshëm dhe domosdoshëm. Masat për të preventuar janë të domosdoshme, por jeta nuk ndalet në asnjë vend. Fabrikat tani punojnë edhe në Itali, që ka marrë masat më dramatike. Edhe në Kinë ka ndodhur njëjtë. Nuk ndalet jeta, s’ndalet prodhimi sepse kjo e rrezikon vetë furnizimin në kohë krize, por mund të sjellë pasoja të pariparueshme për ekonominë”, ka thënë ai. “Apeli është i drejtpërdrejtë, punëtorët në ato veprimtari që s’janë të ndaluara, duhet të dalin në vendin e punës e të kryejnë punët me masat e duhura. Inspektorët e komunat duhet të mos shkelin ligjin”.
Tri vendimet e shpejta që ai ka propozuar janë:
Shtyrja apo riprogramimi i kredive në mënyrë që të mos ketë presion te biznese dhe qytetarët për pagesën e tyre në kohën kur mund të rrezikohen të ardhurat e tyre. Ka premtim nga BQK-ja që të hënën do të ketë vendim, siç kanë vepruar të tjerat.
Shtyrja e raportimit financiar. Edhe për TVSH-në, por edhe ato vjetore.
Qartësimin apo një qarkore që do të jepte një drejtim të duhur për implementimin e dispozitës për punën e njërit prind në atë mënyrë që njëri prind të jetë në kujdes të prindërve.
Rukiqi ka thënë po ashtu se kanë propozuar një pako stimuluese që të sanohen disa nga pasojat, ku është përmendur pagesa e qirave, mungesa e punëtorëve apo të paktën paga minimale për bizneset që pësojnë.
Është kërkuar po ashtu që Qeveria të dalë me fushatë të gjerë vetëdijesimi për qytetarët për të mos lejuar panik e veprime të pakontrolluara nga qytetarët e bizneset.