Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama tha se po të mos ishte UÇK-ja, Kosova mund të mos ishte shtet i pavarur sot.
Sipas tij, Kosova e pavarur nuk do të ishte pa Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Ramush Haradinajn dhe ushtarët e tjerë të UÇK-së.
“Është një privilegj i krijuar falë UÇK-së se mund të mos kishim jo dy shtëpi sot, por mund të mos kishim Kosovën e pavarur dhe demokratike. Shumëkush mund ta ketë harruar apo mudnt të përtojë t’i kthehet historisë dhe të shohë se në çfarë konteksti u zhvillua rezistenca e popullit të Kosovës që nga Lëvizja Gandiane e Ibrahim Rugovë tek lufta çlirimtare”.
“Për shumë kë, natyrshëm kanë kaluar shumë vite, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Ramush Haradinaj apo të tjerë mund të shihen thjesht me sytë e atyre që bënë apo nuk bënë, sa dhe si duhet në qeverisje, por ajo çka sot duhet kujtuar me forcë është se pa këta emra të përveçëm dhe të tjerë bashkë me ta sot mund të mos kishim as Kosovën e pavarur dhe shtet sovran dhe jo më dy shtëpi – një këtej bjeshkëve dhe një andej bjeshkëve”.
Rama ka deklaruar se është gabim që të mendohet se gjithsesi Kosova do të ishte shtet i pavarur dhe sovran pa “ata që kur zbritën në Prishtinë me ushtrinë çlirimtare quheshin djemtë e malit”.
“Disa të rinj vendosën t’i hapin luftë me armë Sllobodan Millosheviqit po e po, por vendosën t’i hapin luftë heshtjes ndërkombëtare, stereotipit të ngulitur shumë fort te Bashkësia Ndërkombëtare, tek ata që në vijim erdhën këtu me bomba për të cilët përpara krijimit të UÇK-së opsioni i Kosovës së pavarur ishte thjesht një herezi çmendurake – ky është fakt historik”.
“Sot është koha për të kujtuar se këta njerëz ndërkohë që ndërmorën një aventurë për të cilën duhej një kurajo e jashtëzakonshme dhe u shpallën armiq për t’u eliminuar të regjimit të Beogradit, u shpallën terroristë në shumë oborre dhe rrugë ndërkombëtare të botës demokratike, i quanin terroristë, marksistë, leninistë, kriminelë, dreq e bir. Mendoj se përtej tyre si persona, përtej tyre si autoritete shtetërore është Kosova”.
Shefi i qeverisë shqiptare tha se propozim-aktakuza e Zyrës së Prokurorit të Specializuar, që ai e quan fletë-rrufe, ka goditur shumë më larg dhe shumë më thellë sesa në ballin e Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit.
“Bëhet fjalë për drejtimin e UÇK-së dhe një përpjekje për të vendosur nën akuzë UÇK-në si të ishte ushtri e rregullt agresorësh që vinin nga Beogradi”.