Ministria e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike (MEPTINIS), konform vendimit të Qeverisë ka filluar nga zbatimi i masave në fushë-veprimtarinë që mbulon, duke aplikuar masa shtesë inspektuese.
MEPTINIS po ashtu u bënë thirrje të gjitha bizneseve që t’i zbatojnë masat që janë ndërmarrë nga Qeveria e Kosovës dhe njëkohësisht kërkon nga organet ligj-zbatuese dhe të sigurisë që të jenë në monitorim të gjendjes në terren.
“Pas zyrtarizmit të dy rasteve me COVID-19 (virusi “Corona”) në Kosovë, Ministria e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike, konform vendimit të Qeverisë, të dt. 13 mars 2020, ka filluar nga zbatimi i masave në fushë-veprimtarinë që mbulon. MEPTINIS i bënë thirrje të gjitha bizneseve që t’i zbatojnë masat që janë ndërmarrë nga Qeveria e Kosovës dhe njëkohësisht kërkon nga organet ligj-zbatuese dhe të sigurisë që të jenë në monitorim të gjendjes në terren”.
“Në këtë kuadër, MEPTINIS ka nxjerrë në terren trupa inspektues që punojnë me orar të zgjatur për të zbatuar urdhrin e Qeverisë. Këto trupa janë duke kryer kontrolle të vazhdueshme për të siguruar rregullsinë në treg dhe zbatimin e masave në marrëdhënien punëdhënës – punëmarrës, ndër tjera, duke penguar shitjen e produkteve me çmime të fryra, apo me deklaracion të gabuar, ose data të skaduara. Ne jemi për të penguar këdo që tenton të përfitojë nga gjendja e rrezikut të krijuar”.
MEPTINIS ka kujtuar se kompanitë janë urdhëruar që duhet t’i përshtatin operacionet e tyre, ashtu që, sa më shumë aktivitete punonjësit t’i kryejnë nga shtëpia.
“Komunalitë, furnizuesit, shërbimet financiare, ofrue sit e shërbimeve të komunikimeve elektronike, të sigurojnë shërbime në masë të domosdoshme, me orar e staf të reduktuar, duke u siguruar që sa më shumë operacione t’i drejtojnë drejt kanaleve elektronik. Mos të dyndemi nëpër pika të shitjeve, të sigurojmë se mbajmë distancë, së paku një metër, nga tjetri dhe këtë ta sigurojnë edhe menaxherët e pikave të shitjes, duke mbajtur radhën”.
Kërkohet asistencë e Policisë së Kosovës për trupat përkatëse inspektues që gjenden në terren, në rast nevoje.
“Qytetarë të nderuar, mos dilni jashtë shtëpive tuaja, vetëm në rastet kur e keni të domosdoshme dhe detyrimisht t’u referoheni udhëzimeve të Ministrisë së Shëndetësisë. Qytetarët mund të thërrasin në numrat pa pagesë: 0800 11 000 dhe 0800 77 5 77, për lajmërime për treg dhe punë, përkatësisht”.