Fshati Stubëll i komunës së Vitisë, prej nga vjen 77-vjeçari që rezultoi pozitiv sot me koronavirus, është izoluar tërësisht.
Këtë e konfirmoi për KOHËN Sokol Haliti, kryetari i komunës së Vitisë.
Sipas Halitit, familja e të infektuarit, që i kishte qëndruar gjatë gjithë ditës afër, është duke u kontrolluar në Klinikën Infektive në Prishtinë.
Haliti tha se 77-vjeçari ka hyrë në Kosovë nga Italia, dhe sipas tij, dyshohet se ditët e fundit ka qenë në një meshë që është organizuar atje.
“Ne po marrim masa konform situatës, pas dy rasteve pozitive. Kemi punuar gjatë gjithë ditës megjithatë tash, i gjithë fshati është në karantinë. Ai (77-vjeçari i prekur me koronavirus) ka ardhur nga Italia dhe kemi informacione që ka qenë në një meshë”, tha Haliti.
Sipas tij, aktualisht në karantinë janë 15 punëtorë të shëndetësisë.
“Kam kërkuar që të furnizohen policët dhe punëtorët e shëndetësisë me maska, dorëza e pajisje tjera, pasi që nuk kanë. Tërë ditën punëtorët tanë janë futur në karantinë, janë dezinfektuar klinikat dhe po merren masat e nevojshme”, tha Haliti.