Çmimet e konsumit në Kosovë kanë shënuar një rritje të ndjeshme gjatë muajit mars 2025, krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, 2024.
Sipas të dhënave të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit (IHÇK) ka shënuar një rritje mesatare prej 2,9% në mars 2025, krahasuar me marsin e vitit 2024.
Siç bëhet e ditur rritja vjetore e çmimeve është shoqëruar edhe me një inflacion mujor prej 0,8%, vetëm gjatë muajit mars 2025, duke reflektuar ndikimet e vazhdueshme nga faktorë të ndryshëm të tregut dhe të mjedisit ekonomik.
Rritja e çmimeve është ndikuar kryesisht nga shtrenjtimi i mallrave dhe shërbimeve në disa nga grupet dhe nëngrupet më të rëndësishme të klasifikimit COICOP. Disa nga rritjet më të theksuara përfshijnë: Kafe, çaj dhe kakao (17,1%), perime (8,7%), mish (8,3%), shërbime të transportit personal (7,6%), qumësht, djathë dhe vezë (7,1%), peme (6,7%), pije alkoolike (6,3%), gazeta, libra dhe materiale për zyra (6,2%), shërbime hoteliere (5,8%), ujë mineral, pije joalkoolike dhe lëngje (5,4%).
Ndërsa, sipas ASK-së rënie të çmimeve në disa kategori kanë pësuar lëndët djegëse të ngurta (si dru zjarri, pelet etj.) me një rënie prej -6,7%, karburantet dhe lubrifikantët për transportin personal me një rënie prej -5,0%.