Kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje për kryetare të Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, nuk arriti të sigurojë votat e nevojshme në raundin e tretë të votimit, duke e bërë këtë përpjekjen e saj të tretë të pasuksesshme për këtë pozitë kyçe në institucionin më të lartë legjislativ të vendit.
Procesi i votimit u karakterizua nga një mungesë e qartë e konsensusit ndërmjet subjekteve politike dhe përfaqësuesve të komuniteteve joshumicë.
Tre deputetët e Nisma Socialdemokrate abstenuan. Ndërkohë, vota e deputetit Adem Hoxha nga partia Unike Gorane mbetet e paqartë ( as nuk ka votuar për/kundër e as abstenuar), ndërsa në votim nuk morën pjesë fare nëntë deputetët e Listës Serbe.
Një votë pro kandidaturës së Haxhiut erdhi nga deputeti Veton Berisha i Partisë Liberale Egjiptiane, përcjell Telegrafi.
Megjithatë, kjo nuk mjaftoi për të kaluar pragun e kërkuar për zgjedhjen në krye të Kuvendit.
Ndërsa, deputetja nga komuniteti boshnjak, Duda Balje, nuk ishte e pranishme në seancën plenare.
Ndryshe, të pranishëm në seancë ishin 117 deputetë. Pro kandidaturës së Albulena Haxhiut ishin 57 deputetë, 46 kundër dhe 3 abstenuan. Gjithsej në votim morën pjesë 106 deputetë.