Vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës pritet të vazhdojë sot në ora 10:00. Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen sërish sot për të pestën herë në përpjekje për të zgjedhur kryetarin dhe nënkryetarët.
Telegrafi nga burimet e veta ka marrë vesh se kryesuesi i seancës konstituive ka ftuar të gjitha subjektet parlamentare në takim në ora 09:30.
Kuvendi ka mbetur pa zgjedhur kryeparlamentarin, pasi LVV propozoi Albulena Haxhiun për kryetare të Kuvendit, por e njëjta u votua vetëm nga 57 deputetë.
Seanca e së hënës shënoi dështimin e katërt radhazi për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
Seanca, e cila u hap të hënën, u ndërpre menjëherë pasi kryesuesi Avni Dehari kërkoi nga Lëvizja Vetëvendosje që të propozojë kandidatin për kryetar të Kuvendit.
Deputeti i kësaj partie, Glauk Konjufca, tha se kandidatura mbetet e njëjtë – Albulena Haxhiu.
Ai shtoi se, duke qenë se partitë e tjera janë deklaruar kundër votimit të saj, nevojitet kohë shtesë për konsultime të brendshme dhe ndërpartiake. /Telegrafi/