Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Blerta Deliu-Kodra ka thënë se nuk do ta votojë kandidaten për kryeparlamentare nga Lëvizja Vetëvendosje, Albulena Haxhiu.
Kodra-Deliu përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se Haxhiu ka katër vjet në krye të drejtësisë, mirëpo siç tha ajo “pa i shërbyer drejtësisë’.
Ajo po ashtu u shpreh se është një ministre që ka shkelur Kushtetutën disa herë.
“Katër vjet ministre — pa integritet profesional, pa vizion bashkues. Një ministre që ka shkelur Kushtetutën disa herë. Që ka dëmtuar financiarisht mbrojtjen e UÇK-së. Që ka humbur e djegur provat e rastit Dehari. Që ka përçarë në vend se të bashkojë. Kjo nuk është kryetarja që i duhet Kuvendit të Kosovës”, ka shkruar Deliu-Kodra.
Ndryshe, seanca e së hënës (21 prill) shënoi dështimin e katërt radhazi për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
Procesi po zvarritet, pasi partia më e madhe në vend ka propozuar Albulena Haxhiun për kryetare të Kuvendit, por ajo nuk ka arritur të sigurojë mbështetjen e mjaftueshme.
Ndërkaq, nga Lëvizja Vetëvendosje kanë kërkuar arritjen e një marrëveshjeje politike për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.
Deputeti i zgjedhur, njëherësh nënkryetari i LVV-së, Glauk Konjufca tha se ata propozojnë sërish për kryetare të Kuvendit, deputeten Albulena Haxhiu.
Mirëpo meqë e njëjta nuk ka marrë votat në seancën e kaluar, ai tha se zgjedhja e saj pa marrëveshje politike nuk duhet të hidhet sërish në votim.
Në të dy raundet e votimit, Haxhiu mori vetëm nga 57 vota, numër i pamjaftueshëm për t’u zgjedhur në këtë pozitë.
Subjektet politike, LDK dhe PDK deklaruan se nuk e votojnë Haxhiun për kryeparlamantare, ndërsa AAK tha se nëse LVV propozon Saranda Bogujevcin ose Shqipe Mehmeti Selimi për kryeparlamentare, atëherë do ta votojnë pro.
Të mërkurën pritet që deputetët e zgjedhur të mblidhen sërish për të konstituar Kuvendin dhe për të zgjedhur kryeparlamentarin.