VV dhe sfida për zgjedhjen e kryeparlamentarit, sa vota kishte marrë Konjufca në vitin 2021?

Seanca e së hënës (21 prill) shënoi dështimin e katërt radhazi për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

Procesi po zvarritet, pasi partia më e madhe në vend ka propozuar Albulena Haxhiun për kryetare të Kuvendit, por ajo nuk ka arritur të sigurojë mbështetjen e mjaftueshme.

Në të dy raundet e votimit, Haxhiu mori vetëm nga 57 vota,  numër i pamjaftueshëm për t’u zgjedhur në këtë pozitë, transmeton Telegrafi.

Gjatë katër viteve të fundit, Albulena Haxhiu ka qenë ministre e Drejtësisë.

Nga radhët e partive opozitare, LDK dhe PDK kanë deklaruar se nuk do ta votojnë Haxhiun për kryeparlamentare. Ndërkohë, AAK ka lënë të kuptohet se mund të ndryshojë qëndrim nëse Lëvizja Vetëvendosje propozon ndonjë tjetër emër, si Saranda Bogujevci apo Shqipe Mehmeti Selimi.

Për të kaluar me sukses votimi, LVV-së i nevojiten të paktën 61 vota.

Një situatë e tillë nuk ishte parë në vitin 2021, kur LVV-ja e pati të lehtë zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit. Në atë kohë, Glauk Konjufca u propozua për këtë post dhe mori përkrahjen e 67 deputetëve, në një seancë ku ishin të pranishëm 113 deputetë.

Ndërkohë që kanë kaluar më shumë se dy muaj nga zgjedhjet e 9 shkurtit, procesi i konstituimit të Kuvendit mbetet i bllokuar. Subjektet politike vazhdojnë të fajësojnë njëra-tjetrën për pengesat dhe vonesat në formimin e institucioneve të reja.

Nga Lëvizja Vetëvendosje mbajnë qëndrimin se Albulena Haxhiu do të jetë e propozuara sërish për kryetare të Kuvendit.

“VV, padyshim e ka emrin e njëjtë, Albulena Haxhiu si e propozuar. Ne meqenëse e kemi parë që të gjitha subjektet politike qysh dje kishin paralajmëruar se do të kenë qëndrimin e njëjtë, mendoj se në këtë situatë politike nuk mund të zgjidhet përveç se me një marrëveshje politike…Pa krijimin e një mazhorance këtu në Kuvend për kryetarin e Kuvendit nuk do të mund të themelohet vetë Kuvendi. E njëjta logjikë është edhe për nënkryetarë… Atëherë ne zoti kryesues kërkojmë një kohë shtesë që të mos përsëritet situata e njëjtë që e patëm tri herë radhazi në Kuvend”, tha  Glauk Konjufca.

Se a do të arrijë LVV të sigurojë votat e mjaftueshme për Haxhiun mbetet të shihet në seancën e së mërkurës, e cila pritet të fillojë në ora 10:00.