Shpargu, ky perim i hollë dhe i gjelbër është me plot vlera ushqyese si fibrat probiotike, ka shkruar The New York Times.
Shpargu përmban inulin, një lloj fibre probiotike që nuk tretet në stomak, por arrin në zorrë ku ushqen bakteret e mira të mikrobiomës.
“Këto baktere prodhojnë komponime që ndihmojnë në parandalimin e inflamacionit në zorrë”, ka thënë dietologia Elizabeth Klingbeil nga Universiteti i Teksasit në Austin.
Sipas Douglas Moellering, profesor i shkencave ushqimore në Universitetin e Alabamës, inflamacioni kronik mund të çojë në sëmundje si kanceri i zorrës së trashë apo sëmundjet inflamatore të zorrëve. Mikrobioma e shëndetshme ka lidhje edhe me trurin, stresin dhe humorin.
Mund të ndihmojë shikimin
Shpargu përmban luteinë dhe zeaksantinë, antioksidantë që mbrojnë pjesën qendrore të retinës së syrit, makulën.
“Makula ndihmon të shohim qartë dhe me ngjyra”, ka shpjeguar profesori Richard van Breemen nga Universiteti Shtetëror i Oregonit.
Me kalimin e moshës, makula mund të degradojë dhe të çojë në degjenerim makular, një sëmundje që prek rreth 13% të amerikanëve mbi 40 vjeç. Edhe pse shpargu nuk e parandalon plotësisht këtë sëmundje, mund të ndihmojë.
Burim i mirë i vitaminës K
Vetëm 6 kërcej shparg përmbajnë rreth 40 mikrogramë vitaminë K, afërsisht gjysmën e nevojës ditore. Kjo vitaminë është thelbësore për koagulimin e gjakut, pra ndalimin e gjakderdhjes në raste prerjesh apo plagosjesh.
“Faktorët e mpiksjes së gjakut kanë nevojë për vitaminë K për të funksionuar”, ka shpjeguar dietologia Vanessa da Silva nga Universiteti i Arizonës.
Si të përgatitet shpargu në mënyrë që t’i ruhen vlerat ushqyese?
“Shpargu është i shëndetshëm si do që të jetë përgatitur, por nëse doni që përthithja e vlerave ushqyese të tij nga organizmi juaj të jetë maksimale, është më mirë ta piqni ose ta zieni në avull”, ka thënë ekspertja Nancy Moran nga Kolegji i Mjekësisë Baylor.
Zierja në ujë nuk rekomandohet sepse disa vitamina mund të humbasin.
Mund të hasni shparg të bardhë ose ngjyrë vjollcë, ndryshojnë pak në antioksidantë, por janë po aq të shëndetshëm sa ai i gjelbri.
Aroma e çuditshme e urinës pas konsumimit të shpargut është normale. “Nuk ka asgjë që nuk shkon me ju”, ka thënë Da Silva.
Shpargu përmban komponime me squfur, të cilat gjatë tretjes lëshojnë një erë të veçantë që del përmes urinës.
Etiketa apo mënyra e duhur për ta ngrënë shpargun?
Moran ka treguar se i pret kërcejtë e shpargut me thikë dhe pirun, por nuk e gjykon askënd që i ha me dorë.
“E rëndësishmja është që po hani perime”, ka thënë ajo me të qeshur.