Adoleshenti spanjoll Lamine Yamal është lidhur me një largim të mundshëm nga Barcelona dhe dy klube thuhet se janë të interesuara për të.
17-vjeçari është një ndër lojtarët më të mirë në botë këtë sezonë pas paraqitjeve të tij brilante me Barcelonën.
Që prej se u bë pjesë e ekipit të parë të tyre në vitin 2023, Yamal ka shkëlqyer si për klubin ashtu edhe kombëtaren.
Deri më tani reprezentuesi spanjoll ka realizuar 20 gola në 92 ndeshje në të gjitha garat për klubin katalanas.

Në sezonin 2024/2025, Yamal ka arritur të shënojë 13 gola dhe të dhurojë 19 asistime në 49 paraqitje.
Në vitin 2023 ishte konfirmuar se Yamal ka nënshkruar një kontratë të re me klubin, sipas së cilës do mbetej pjesë e Barcelonës deri në verën e vtiti 2026.
Ishte zbuluar po ashtu se ka një klauzolë lirimi në kontratën e tij, e cila kap vlerën e 1 miliardë eurove.
Sidoqoftë, sipas një raportimi nga Mundo Deportivo, Yamal është lidhur me një largim nga Barcelona për shkak të situatës së rënduar financiare të klubit.
Është sugjeruar se Barcelona po ballafaqohet me disa komplikime sa i përket kontratës së re të Yamal.
Si rezultat, dy gjigantët anglezë Liverpooli dhe Manchester City besohet se po e monitorojnë situatën e tij nga afër.